Ndeshjet e Kupës së Kosovës në këtë edicion është vendosur që të zhvillohen në qytetin e Pjesën mes datave 9-13 shkurt

Marrëveshja ndërmjet kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu dhe kryetarit të klubit të basketbollit Peja Fatmir Gashi është nënshkruar të enjtën.

Me këtë rast, i pari i FBK-së Fetahu zbuloi dy arsyet kryesore pse u vendos që kjo garë të mbahet në qytetin e Pejës dhe jo në ndonjë vend tjetër.

Fetahu: Këto janë dy arsyet që “Final 8” u vendos të organizohet në Pejë

“Është e veçantë për ne që në vitin 2022 ta organizojmë garën më voluminoze më dhe më prestigjose të Kosovës në qytetin e Pejës. Është e rëndësishme për dy arsye, e para sepse në Pejë ka kohë që nuk është organizuar ajo që dikur quhej “Final 4” dhe tani organizohet në formën e “Final 8″ dhe e dyta që përkon më atë që kemi dashur të bëjmë si Federatë e Basketbollit dhe klubi i basketbollit Peja bashkarisht e kjo është që t’i japim homazh dhe ta nderojmë figurën e ndritur të zotëriut Agim Lluka si një prej themeluesve të KB Peja dhe një prej udhëheqësve të KB Peja për shumë vite i cili ndërroi jetë vitin e kaluar”, ka thënë Fetahu

I lumtur që do ta bëjnë këtë organizim dhe falënderues ndaj federatës që iu besua kjo garë u shpreh kryetari i KB Pejës Fatmir Gashi i cili tha se do të japin maksimumin që organizimi i kësaj gare të bëhet me përpikmëri të madhe aq sa të jetë një standard i ri për të ardhmen.

Gashi: Do të krijojmë standard të ri në organizimin e Kupës së Kosovës

“Klubi është organizuar ashtu që menjëherë e ka themeluar ekipin i cili do të merret me organizimin e këtij eventi, ka kontraktuar kompaninë e cila do ta bëjë organizimin e eventit dhe unë shpresoj që ky event do të jetë event i paparë, do të jetë një standard i ri i cili, ashtu siç tha kryetari do të jetë standard i cili do të futet si standard për organizime të tjera, të finaleve të tjera, të kupave dhe të “Final 4″ të ndryshme të cilat janë në agjendën e federatës.”, tha Gashi.

Prezenca ose jo e tifozëve në këto ndeshje është një breng e madhe si për organizatorin ashtu edhe për FBK-në dhe për këtë çështje Fetahu theksoi që kanë bërë kërkesë në institucionet përkatëse që të lejohet shfrytëzimi i 50 përqind të kapacitetit të palestrës për publikun.

Fetahu: Kemi kërkuar që të lejohet shfrytëzimi i 50 përqind të kapacitetit të palestrës për tifozë

“Kjo ka qenë një çështje të cilën e kemi diskutuar gjatë gjithë kohës edhe me kryetarin Gashi edhe me të gjithë për shkak se përbën një brengë për ne, do të thotë se sa do të ketë tifozë, a do të ketë tifozë, por natyrisht se kjo nuk varet as prej klubiet e as prej federatës por një gjë që varet prej nesh edhe të cilën ne e kemi bërë është se ne iu kemi drejtuar me kërkesë të gjitha autoriteteve që të na lejojnë 50 përqind që të kemi pjesëmarrje të publikut nëpër këto ndeshje të “Final 8″ edhe të ndeshjeve të kombëtares sonë e cila është 10 ditë më vonë. Kështu që ne e kemi bërë këtë kërkesë duke e bërë edhe një zotim që askush në këtë palestër të mos hyjë pa i pasur vaksinat e duhura, do të thotë pa dy dozat vaksine të mos e kemi askënd aty”, tha në fund Fetahu.

Ylli, Drita, Peja, Prishtina, Prizreni 16, Bashkimi,, Rahoveci dhe Trepca janë skuadra që luajnë në këtë garë nga kategoria e meshkujve.

Ndërsa te femrat për këtë trofe do të luftojnë këto skuadra: Penza, Bashkimi, Prishtina dhe Trepça.

Garë do të ketë edhe ndërmjet skuadrave të Ligës së Parë dhe marrin pjesë Istogu-Vëllaznimi, NEW Basket dhe Vushtrria./TV Malisheva

Share.