Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, të shoqëruar me fletoren e punës. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, e cila ka ftuar shtëpitë botuese nga të dy shtetet që të aplikojnë në këtë konkurs.

Në një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se ka filluar jetësimi i Marrëveshjes për Abetaren e re të përbashkët cilësore dhe unike, që do ta përdorin si tekst të parë të gjithë fëmijët shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ata mësojnë shqip.

Po ashtu, ministja Nagavci ka shprehur bindjen e saj të plotë se në vitin e ri shkollor, vogëlushët e të dyja shteteve do ta kenë në dorë Abetaren e re.

“Ky libër simbol, le të jetë një dhuratë për vogëlushët tanë në 110 vjetorin e Pavarësisë”, ka thënë Nagavci.

E krejt kjo, sipas saj, ka ardhur si rezultat i një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re.

“Një gjuhë, një Abetare… Pas një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët ‘Abetare’, të shoqëruar me fletoren e punës. Ftoj shtëpitë botuese nga të dy shtetet tona që të aplikojnë në këtë konkurs, rezultatet e të cilit do të bëhen publike në qershor të këtij viti”, ka thënë ajo./TV Malisheva

Share.