Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj kanë pritur sot në takim tre pilotët e Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës toger Afrim Zabelin, toger Krenar Vocën, toger Atdhe Hasanin, të specializuarin për monitorim dhe orientim ajror, nëntoger Sunaj Shalën, dhe dy inxhinierë të helikopterit, rreshter Behar Zeqirin dhe rreshter Labinot Gashin.

Kurti i falënderoi ata për kontributin dhe rolin që kanë pasur deri tani dhe që do ta kenë edhe në të ardhmen në avancimin e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së, duke thënë se ushtria e Kosovës ndodhet në fillimet e aviacionit dhe se avancimi i saj është i rëndësishëm për nevojat ushtarake dhe shtetërore.

“Shkollimi dhe pajisjet janë të rëndësishme, dhe do të investojmë si shtet në të dyja”, tha Kurti.

Pilotët i treguan kryeministrit për shkollimin që kanë kryer, për sfidat që kanë pasur e që i kanë.

Tre pilotët janë specializuar në Akademinë Ushtarake në Turqi, ashtu sikurse edhe dy inxhinierët e helikopterit, ndërsa nëntogeri Shala ka specializuar për monitorim, orientim, udhëzim e radar në Akademinë Ushtarake të Kroacisë “Dr.Franjo Tugjman”, thuhet në komunikatë./TV Malisheva

Share.