Qeveria e Kosovës ka miratuar sot Programin për Reforma në Ekonomi 2022-2024 dhe nismën për negocimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Financimi i Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshme”.

Programi për Reforma në Ekonomi 2022-2024 do të dorëzohet për informim në Kuvendin e Kosovës dhe te Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë. Ky program është hartuar nga Ministria e Financave, Zyra e Planifikimit Strategjik në Zyrën e Kryeministrit dhe koordinatorët e fushave të politikave nga ministritë e linjës.

Aktivitetet afatshkurtra nga Programi për Reforma në Ekonomi janë përfshirë në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2022 dhe janë në përputhje me aktivitetet e planifikuara në projekt Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe Agjendën Evropiane të Reformave, si dhe me projektbuxhetin e vitit 2022.

Korniza e përgjithshme e politikave të Programit për Reforma në Ekonomi 2022-2024 është një kombinim i programit të rimëkëmbjes ekonomike, i cili synon të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, politikës fiskale të bazuar në rregullat e orientuara drejt stabilitetit të financave publike dhe, brenda hapësirës fiskale në dispozicion, drejt mbështetjes së rritjes ekonomike përmes investimeve kapitale dhe shtimit të fondeve për zonat prioritare të zhvillimit, si dhe një sërë reformash prioritare strukturore që adresojnë pengesat kryesore ndaj rritjes ekonomike dhe mbështesin zhvillimin e sektorëve ekonomik, konkurrues dhe sigurojnë që rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse dhe e rritë mirëqenien./TV Malisheva

Share.