Ekspertëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë u është zgjatur orari i punës.

Kjo për shkak që të njëjtit janë duke trajtuar komentet e shumta të palëve të interesit që lidhen me propozimin e ZRRE-së, për shtrenjtim të energjisë elektrike.

“Ekspertet e ZRRE-së, janë duke punuar me orar të zgjatur dhe janë në proces të trajtimit të komenteve të pranuara”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Ndërsa, nga ky dikaster kur janë pyetur se kur pritet të dalë raporti final në lidhje më tarifat e reja nuk kanë dhënë përgjigje.

Ata thanë se Zyra e Rregullatorit ka pranuar një numër të madh të komenteve nga palët e interesit përfshirë edhe konsumatorët dhe përgjigjet ndaj komenteve do te publikohen në raportin përfundimtar.

 “Zyra e Rregullatorit ka pranuar një numër të madh të komenteve nga palët e interesit përfshirë edhe konsumatorët. Të gjitha komentet e pranuara janë bërë publike. Përgjigjet ndaj komenteve do te publikohen në raportin përfundimtar. Për agjendën e Bordit se kur do të trajtohet raporti përfundimtar do të lajmëroheni si gjithmonë me kohë”, thuhet më tutje në përgjigje.

Në vazhdimësi është thënë se nga 1 shkurti në Kosovë do të aplikohen tarifat e reja.

Por, nga ZRRE-ja nuk kanë treguar se ku do të fillojnë të aplikohen tarifat e reja.

Organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh.

Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 këh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës./TV Malisheva

Share.