Presidentja Vjosa Osmani ka takuar komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe oficeret që kanë mbaruar studimet jashtë vendit në fushën e mbrojtjes, me ç’rast ka kërkuar nga Jashari që sa më shumë vajza e gra të inkurajohen për t’u bërë pjesë e Forcës.

Osmani, njëherësh komandante supreme e FSK-së, ka pritur në takim gjenerallejtënant Bashkim Jasharin dhe oficeret e Forcës: Liridona Jashari- Baftjari, Arbenita Grezda- Haxholli dhe Jeta Berisha, të cilat kanë mbaruar studimet në fushën e mbrojtjes në ShBA dhe Turqi, thuhet në një komunikatë për media.

Presidentja Osmani i ka përgëzuar oficeret për suksesin e arritur, duke i cilësuar arritjet e tyre sukses jo vetëm për FSK-në, por edhe për shtetin e Kosovës.

Sipas Presidentes Osmani është mirë që rrëfimet për suksesin e vajzave të FSK-së t`i dëgjojnë vajzat e gratë e tjera të Kosovës në mënyrë që të shërbejnë si frymëzim për t`iu bashkuar sektorit të sigurisë.

Në këtë kontekst, ka kërkuar nga komandanti i FSK-së që sa më shumë vajza e gra të inkurajohen për t`u bërë pjesë e Forcës.

“Sa më shumë suksese të vajzave të FSK-së, aq më mirë për imazhin e shtetit të Kosovës”, është shprehur Osmani./TV Malisheva

Share.