Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda 30 ditëve do të publikojë vendimin lidhur me shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Kështu ka deklaruar sot kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve në seancën gjyqësore ndaj Metës.
Gjatë seancës së sotme, Meta u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj, ndërsa nga Kuvendi u paraqitën kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, raporton atsh.
“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, ka thënë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Në një prononcim për mediet, para se të jepeshin parashtrimet përfundimtare, këshilltari i presidentit për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj deklaroi sot se Kuvendi ka ndërhyrë në prova.
“Ne kemi kundërshtuar vërtetësinë të një prove të depozituar së fundmi nga Kuvendi, të depozituar më 4 shkurt 2022, i cili i përcjell Gjykatës Kushtetuese sipas Kuvendit disa prova të reja, ku përfshihet urdhri 19, datë 5.5 2021, i Kryetarit të Kuvendit dhe që ka të bëjë me mbledhjen e Kuvendit më datë 7.5.2021, ditë që Kuvendi do të miratonte datën e Komisionit Hetimor dhe miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve.
Gjatë shqyrtimit të provave të reja që na u vunë në dispozicion, na rezultoi se ka ndërhyrje apo manipulim prove të depozituar. Konkretisht urdhri që Kuvendi i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese mban datën 5.5.2021, ndërkohë që sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë ky urdhër mban datë 6.5. 2021 dhe jo 5.5.2021. Kjo ndërhyrje bëhet se provat e reja sillen për të rrëzuar pretendimin e Presidentit lidhur me shkeljet që ne kishim konstatuar në lidhje me mbledhjen e seancës plenare dhe rendit të ditës”, ka thënë ai.
Pas përfundimit të seancës, Dervishaj tha se “për fat të keq u provua edhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, edhe së fundmi depozitoi prova shkresore të manipuluara vetëm me qëllimin që t’i rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh me Presidentin, për një çështje me kaq rëndësi, për një çështje që nuk duhet të ekzistonte dhe pa lëndë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organet e tjera fundore”.
Ai ka bërë të ditur se presidenti ka vendosur t’i drejtohet organit të prokurorisë lidhur me këtë çështje, ashtu sikundër është në të drejtën e Kuvendit të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë shkak që evidentuam para gjykatës. Ashtu sikundër është në të drejtë të gjykatës që të marrë një vendim, por që duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe ligj”, tha Dervishaj./TV Malisheva