Paga minimale në Maqedoninë e Veriut është rritur nga 250 në 300 euro.

Vendimi do të hyjë në fuqi nga muaji mars dhe do të përfshijë rreth 80,000 punëtorë të ndërmarrjeve të vogla, të sektorit të tregtisë dhe industrisë përpunuese.

Kjo rritje ndodhi pas marrëveshjes së arritur midis Lidhjes së Sindikatave dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut mbrëmjen e djeshme.

Marrëveshja u arrit pas negociatave që kanë zgjatur disa ditë për shkak të hezitimit të Qeverisë për të pranuar rritjen e kërkuar nga Lidhja e Sindikatave.

“Kemi premtuar dhe miratuam vendimin që ndihmojnë drejtpërdrejt standardin e jetesës. Në një vit krize, vit krize evropiane dhe botërore, ne mbetemi të fokusuar në mbështetjen financiare të qytetarëve. 80 mijë punëtorë do të përfitojnë nga vendimi i Qeverisë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Rroga mesatare në Maqedoninë Veriore është rreth 29.000 denarë apo 475 euro.

Por, kundër vendimit për rritjen e pagës minimale ishin shprehur punëdhënësit, të cilët kërkuan subvencione nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve ndërsa vendimin e qeverisë e konsideruan si jo real./TV  Malisheva

Share.