Bordi i Drejtorëve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka njoftuar se do të takohet sot me fillim nga ora 11:00, ku në rend dite janë 6 pika për shqyrtim.
Në mesin e tyre janë edhe “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për OST/OT (KOSTT) për vitin relevant tarifor 2022”, “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për OSSH (KEDS) për vitin relevant tarifor 2022” si dhe “Shqyrtimi i Propozimit të Tarifave për Furnizuesin me Shërbim Universal (KESCO) për vitin relevant tarifor 2022”.
Ndërkaq, kreu i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, në një konferencë për media ka thënë se shtrenjtim të tarifave do të ketë, mirëpo nuk ka treguar se sa do të jetë ajo rritje.
“Ne jemi duke bërë përpjekje që vendimin ta marrim më herët se 20 shkurti. Është shqyrtim i jashtëzakonshëm dhe jemi të përkushtuar që ky proces të përfundoj sa më parë, duke pasur parasysh se kemi kosto shtesë në sistem dhe domosdoshmërisht ne duhet të marrim një vendim që këto kosto të mbulohen sa më shpejt prej konsumatorëve e në këtë rast edhe prej qeverisë”, është shprehur Fejzullahu.
Në lidhje me shtrenjtimin e tarifave, komente në ZRrE kanë dërguar presidentja Osmani, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës .
Komentet që janë bërë publike nga ZRRE-ja
Komentet që janë bërë publike janë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, raporton Gazeta Sinjali.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka propozuar që pragu prej 600 kilovatë të rritet, teksa çmimi të shtrenjtohet për 5% deri te pragu i përcaktuar
Kurse, KEDS dhe KESCO në komentet e tyre që tashmë i kanë dërguar kanë kërkuar rritje tarifore prej 47% që sipas tyre të mos rrezikohet sistemi pas humbjeve në vitin e kaluar.
Në anën tjetër, operatori KOSTT ka paralajmëruar se janë në prag të falimentimit, pasi që kanë shumë shpenzime, përfshirë këtu edhe pagesën e rrymës në veri të vendit.
/TV Malisheva