Shtrenjtimi i rrymës qind për qind do të jetë i papërballueshëm sidomos për punëtorët e sektorit privat, teksa me këtë do të afektojë edhe në shtrenjtimin e produkteve ushqimore ose prodhimeve tjera në treg.
Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, thonë se kategoria e punëtorëve nuk mund ta përballojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ndërsa nga opozita fajtorë e bënë shefin e Qeverisë, teksa shprehen se kryeministri Kurti po vepron me arrogancë për shkak të numrave që i ka në Kuvend, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se kjo shtresë mund të përfundojë edhe në burg, pas sipas tij ata nuk do të kenë mundësi t’i paguajnë faturat me këtë rritje.
Ai thotë se kjo kategori do të detyrohet të kyçen ilegalisht në rrjetin elektrik.
“Ne gjendjen që kemi pasur ta flasim para 4-5 muaj, kemi pasur gjendjen tepër tepër të rëndë. Mu po më shkon mendja atje që ekzistojnë dy mundësi, mundësia e parë që punëtorët e sektorit privat një pjesë bukur të mirë duhet tu ndërpritet rryma sepse nuk kanë mundësi që ta bëjnë këtë pagesë me një pagë 270 euro, nuk ka mundësi me bë. Dhe pjesa e dytë le të përgatiten gjyqet që së paku në një far forme të marrin vendime për me i dërgu në burg këta njerëz sepse jo që nuk dëshirojnë por nuk kanë mundësi dhe e vetmja mundësi është ta shkyçësh nga rrjeti dhe ta dërgosh në burg, tjetër mundësi nuk kemi”, u shpreh ai.
“Shpesh herë shteti t’i krijon vetvetiu kushtet që të bësh veprime të pahijshme. Veprime jo të mira, kështu që neve na imponohet ose të kyçemi ilegalisht ose njëfarë forme ë vijnë deri tek kacafytja në mes të atyre që i kërkojnë mjetet edhe këtyre. Nuk është që nuk dëshiron, nuk ka mundësi sepse njerëzit, po them edhe ata të varfrit, pjesa dërmuese që jetojnë edhe nëpër qytete ata nuk mund të ngrohen as me thënë gjithë as me dru, duhet me u ngroh me rrymë. Ai ose duhet me lënë fëmijën e vet mu mërdhi ose duhet ta bëjë një zgjidhje tjetër, e zgjidhja tjetër njëfarë forme nuk po na pëlqen por megjithatë do të vijë deri tek ajo”, thotë ai.
/TV Malisheva