Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitës zyrtare në Tiranë, ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin kanë diskutuar për ndërtimin e mëtutjeshëm të raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.
Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, u shpreh se takimet me Kryeministrin Rama, më shumë sesa zyrtare, gjithmonë janë miqësore e vëllazërore.
“Edhe sot, në vizitën time të parë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e Kryetarit të PDK-së, kisha kënaqësinë të takoj Kryeministrin Edi Rama, për një drekë pune. Me Kryeministrin Rama diskutuam për ndërtimin e mëtutjeshëm të raporteve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit tonë institucional.
Të dy u pajtuam për nevojën e një dinamike të re politike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për të përshpejtuar proceset dhe marrëveshjet e dakorduara më parë.”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK theksoi se me kryeministrin Rama diskutuan edhe për rolin dhe faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe për procesin e integrimit euro-atlantik të të dy shteteve.
“Kosova dhe Shqipëria janë me fat që kanë mbështetjen e pakushtëzuar të njëra-tjetrës, në rrugën përpara drejt zhvillimit dhe integrimit.”, tha ai./TV Malisheva