Ka përfunduar edhe ndeshja e fundit e xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës, ajo ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit e cila u vendos nga dy gola të realizuar në minutat shtesë të ndeshjes.
Ky ballafaqim u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë të dielën nga ora 13:30, raporton TV Malisheva.
Të dy skuadrat zhvilluan një lojë e cila nuk kishte shumë raste shënimi, por që në pjesën e dytë u dhanë dy kartona të kuq.
Nga radhët e Ballkanit u përjashtua nga loja Dellova me karton të kuq direkt, kurse në minutën e 70′ Otto John po ashtu u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Në minutat shtesë u akordua penallti për skuadrën nga Suhareka të cilën në gol e ktheu Ermal Krasniqi dhe vetëm tre minuta më vonë rezultati u dyfishua me golin e Mvelan Zekës duke ia siguruar tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij.
Kjo është humbja e dytë e Prishtinës në dy ndeshjet e para të sezonin pranveror në Superligën e Kosovës.
Ballkani ka 39 pikë në vendin e dytë, aq sa ka edhe Gjilani në të parin, kurse Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 24 pikë.