Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Ai theksoi se Kosova është e orientuar me BE-në e NATO-n, e po ashtu edhe me SHBA-të e Mbretërinë e Bashkuar, në përkrahje të popullit të Ukrainës.
“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë. Në këto qaste ku jemi ne në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës, dhe jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, theksoi kryeministri Kurti.
Ndryshe, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se trupat e tij do të ndërmarrin veprime në rajonin e Ukrainës të kontrolluar nga separatistët, të cilin ai e shpalli të pavarur këtë javë.
Shtatë persona kanë vdekur si rrjedhojë e bombardimeve nga forcat ruse, thotë policia ukrainase.
Zyrtarët thonë se një sulm në një njësi ushtarake në Podilsk, jashtë Odessa-s vrau gjashtë persona dhe plagosi shtatë.
Nëntëmbëdhjetë persona janë gjithashtu të zhdukur.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka njoftuar se forcat e saj i janë kundërpërgjigjur trupave ruse – duke i shkaktuar humbje të mëdha.
/TV Malisheva