Presidenti i dikurshëm i Serbisë, Boris Tadiq, është i mendimit se Serbia duhet ta dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Në këto rrethana, Serbia duhet ta shikojë interesin e vet, por në kontekstin e duhur. Nëse Serbia e ka rrugën kah BE-ja, duhet ta harmonizojë politikën e saj me politikën e BE-së. Edhe pse Serbia nuk është anëtare e BE-së, ajo ka më shumë hapësirë për manovrim për politikën. Për këtë arsye Serbia ka marrëveshje të partneritetit strategjik me shtetet joanëtare të BE-së ose marrëveshje për tregti të lirë dhe këtë duhet ta shfrytëzojë derisa të bëhet anëtare e BE-së”, tha Tadiqi në programin e mëngjesit të televizionit “Kurir”.

Tadiqi deklaroi se Serbia duhet ta dënojë pushtimin rus.

Ish-presidenti serb deklaroi se në përgjithësi është kundër sanksioneve.

“Nëse Serbia do t’u bashkohet sanksioneve është një pyetje tjetër dhe kjo i takon presidentit Vuçiq. Kjo është një pyetje që duhet të peshohet me kujdes. Po të isha Aleksandar Vuçiqi, do të konsultohesha me ish-presidentin në këtë situatë, gjë që ai nuk e bëri. Kjo është e drejta e tij, por do t’i konsultoja me të gjithë ata që kishin përvojë të mëparshme që të mos gaboja.

Kur isha president i Serbisë, jam konsultuar me presidentë para meje, siç ishte Dobrica Qosiq. Unë nuk e kam marrë gjithmonë propozimin e tij si model veprimi dhe vendimi politik, por kam marrë parasysh”, tha më Tadiqi dhe deklaroi se gjithçka që po ndodh në Ukrainë do të lërë pasoja të mëdha në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, veçanërisht për vendet më të cenuara, siç është Serbia.

“Në këtë moment Serbia duhet të dënojë sulmin rus ndaj Ukrainës. Më vjen keq që Serbia nuk është bërë më e qartë kur është fjala për interesin e saj për përvetësimin ose aneksimin e Krimesë në Ukrainë, sepse ai është momenti kur u rrezikuan interesat serbe. Me njohjen e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, Rusia hyri në interesat e Serbisë, sepse e ndau Gjeorgjinë në një farë mënyre. Serbia as atëherë nuk ka reaguar me të gjitha forcat siç duhet, sepse ishte një kohë tjetër.

Mendimi im është se Serbia duhet të jetë shumë më parimore dhe më e fortë. Jam përpjekur të jem parimor në mandatin tim në ato rrethana. Çdo gjest i një fuqie të madhe ku një pjesë e territorit të një shteti tjetër njihet në mënyrë të paligjshme është vepër kundër integritetit tonë në Kosovë dhe Metohi”, tha ish-presidenti serb.

Tadiqi thekson se Serbia duhet të jetë e qartë dhe t’u thotë “miqve tanë rusë se kjo është e papranueshme për ne”.

“Sidomos Serbia nuk mund të pranojë pushtimin e një shteti tjetër të pavarur. Nuk ka asnjë justifikim të mundshëm nga Rusia se Ukraina i kërcënon ata. Arsyetimi është se NATO-ja dëshiron të zgjerohet në Ukrainë dhe në vendet baltike, duke shkelur marrëveshjen kur Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej, nuk mund të jetë arsyetim për një sulm ndaj Ukrainës”, tha Tadiqi.

Kujtojmë se presidenti rus, Vladimir Putin, herët në mëngjes i shpalli luftë Ukrainës.

Aksioni filloi në orën 3:50 me kohën e Evropës Qendrore, kur sulmi kryesor i ushtrisë ruse filloi nga drejtimi i Donetskut dhe Luhanskut.

/TV Malisheva

Share.