Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ferhat Dinosha është optimist se agresioni rus në Ukrainë nuk do të prodhojë diçka që mund të shpërndahet më gjerë në Evropë. Megjithatë thotë se krejt kjo paraqet situatë të re, karshi së cilës të gjithë duhet të sillen në pajtim me rrethanat. Ndërkohë që theson se pas mosvendosjes së sanksioneve nga Serbia për Rusinë, kjo e fundit nuk do të mund të “rri në dy karrige”, duke u munduar që të paraqitet kinse është proevropiane.
Lidhur me këtë, Dinosha në një intervistë thotë se Rusia dhe Serbia mund të tentojnë që të prodhojnë incidente të caktuara në Bosnjë, në veri të Kosovës dhe në Mal të Zi, por që sipas tij, kontakti i mirë i këtyre vendeve me NATO-n do ta eliminojë rrezikun e një konflikti më të madh.
“Mendoj se kjo është diçka që flet qartë se kemi diçka të re dhe se duhet të sillemi në pajtim me këtë që kemi të re. Ne këtu në Ballkan ato shtete të cilat kanë kontakte të mira me faktorin Perëndimor, me NATO-n, me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet vazhdimisht të jenë në kontakt me këta partnerë dhe të mos druajnë nga ndonjë shpërthim i ndonjë konflikti më të madh këtu. Mund të ketë tendenca, tentime që të prodhohen incidente të caktuara në Bosnjë, në Veri të Kosovës, mbase edhe në Mal të Zi pak për shkak se është i pranishëm elementi pro serb, pro rus, mirëpo kontakti i mirë me partnerët perëndimorë, kontakti i mirë me NATO-n, do ta eliminojë rrezikun e konfliktit më të madh. Thash për fat të mirë edhe Mali Zi edhe Shqipëria janë në NATO, Kosova nuk është në NATO, por NATO është këtu, kështu që duhet të jemi të në sigurinë tonë”, thotë ai.
Ish-ambasadori tregon se nuk është habitur aspak nga qëndrimi i Serbisë përballë agresionit rus, derisa thekson se pas rastit të Ukrainës, ShBA, BE dhe Perëndimi do ta lejojnë këtë të fundit që të “rri në dy karrige”.
“Nuk më çudit fare qëndrimi i tillë i Serbisë, bile e di se as në këtë dalje nuk ka qenë zoti Vuçiq plotësisht i sinqertë, mendon ndryshe edhe sa ka thënë, nuk e ka thënë me plot sinqeritet, por them se kjo nuk më befason fare. Shpresoj se pas rastit të Ukrainës diçka do të ngjajë edhe në relacion me Serbinë, kur është fjala për kontaktet e saj me partnerët perëndimorë edhe me Bashkimin Evropian, dhe me shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri tash edhe nëse ka ndodhë që Serbia të shihet ndërmjet gishtave për shumë gjëra, të shikohet në të përmes gishtave, tash e tutje s’besoj që do të ndodhë kjo. Serbia s’do të mund të rri në dy karrige, dhe kjo është e mirë për shtetet e tjera të rajonit të cilat nuk kanë kurrfarë rezerve sa i përket bashkëpunimit me Perëndimin. Edhe sa u përket projekteve strategjike të shteteve tona të cilat duan edhe integrime euroatlantike edhe integrime evropiane”, thotë Dinosha.
Në kohën kur zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi janë afruar, Dinosha thotë se është e pritshme që Rusia të përkrahë edhe kësaj radhe presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq.
“Pres që Rusia do të përkrahë dhe kësaj radhe Vuçiqin dhe se do t’ia dalë ta bëjë fitues sërish, por nuk pres që do të mund të shkaktojë trazira më të mëdha në Kosovë, sidomos nëse Qeveria aktuale e Kosovës, e unë shpresoj se do të ndodhë kjo, do të jetë në kontakt të mirë me partnerët ndërkombëtar të cilët janë edhe këtu të pranishëm. Sugjerimet e miqve tanë nuk bënë të hasin në vesh të shurdhër te ne dhe mendoj se po nuk ngjau kjo që ne tu vëmë qibër propozimeve të miqve, nuk kemi arsye të frikësohemi nga diçka që do të ishte shqetësim më i madh për qytetarët ose ndonjë konflikt eventual këtu”, thotë ish-ambasadori.
Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë do të zgjasë edhe për një kohë, porse thotë se beson se në fund Rusia nuk do të përmbushë orekset e saj.
“Ukraina nuk është shtet i NATO-s, nuk është as shtet i BE-së ende dhe është një situatë e caktuar e cila do të kërkojë kohë më shumë, për fat të keq mund të ketë viktima por në llogoren afatgjatë nuk do të dalin orekset e Rusisë e as kur është fjala për Ukrainën. Nuk besoj se konflikti i Ukrainës do të prodhojë diçka që mund të shpërndahet më gjerë në Evropë apo qoftë larg në botë”, thekson ai.
Ndërsa komenton sanksionet e vendosura karshi Rusisë, Dinosha thotë se këto të fundit në afatgjatë do të japin efektet e veta.
“Ato (sanksionet) janë të domosdoshme. Për fat të keq ato nuk do të kenë ndikim të menjëhershëm siç thashë, por janë të domosdoshme, nuk lihen shumë mjete të tjera, mekanizma të tjerë që të detyrohet Rusia menjëherë të zmbrapset nga ajo që ka filluar, por këto sanksione do të jenë të rrepta dhe në afatgjatë do të prodhojnë efektet e veta. Mendoj se edhe nga vet populli ukrainas varet rrjedha e gjërave atje. Nuk mendoj se populli, lidershipi politik i Ukrainës guxon të bjerë në defetizëm sado që mund të ketë viktima, duhet të tregojnë qartë se janë të vendosur të mbrojnë integritetin e vet territorial, sovranitetin e vet i cili është sulmuar nga një shtet fqinj, por pa të drejtë dhe të sillen në pajtim me atë që është patriotizmi themelor i çdo shtetasi për shtetin e vet”, thekson ish-ambasadori për KosovaPress.
Rusia ka ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë më 24 shkurt, ndërsa sot është dita e shtatë e agresionit rus atje./TV Malisheva