Shoqata e ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- Dega në Malishevë, bashkëorganizuan ngjarjen me karakter kombëtare në vigjile të 5,6 dhe 7 marsit, ndarjen e ” Flamurit të Brigadës”, 138 “Agim Ramadani”, për katër dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë në betejën e Koshares duke luftuar përballë ushtrisë vrastare e pushtuese serbe, në çlirim të Kosovës.
Në këtë ngjarje fjalë rasti mbajti, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, ku ndër të tjera tha”
“Në përkujtim të atyre që dhanë më të shtrenjtën jetën, dëshmorët, sot, për mua është ndjenjë e veçantë dhe përgjegjësi e madhe, që ne, që udhëheqim institucionet shtetërore e komunale, duke nderuar sakrificën e popullit shqiptar, gjakun dhe jetën e dëshmorëve të kombit, sot e përherë ata janë vula e themeleve të palëkundura shtetërore të Kosovës, prandaj sa herë i rikujtojmë dëshmorët e atdheut, rikujtojmë atdheun dhe shtetin e lirë”.
Më pas nënkryetari Krasniqi, kërkoi edhe lirimin sa më parë të personaliteteve ushtarake e shtetërore që padrejtësisht sot po mbahen në Hagë, duke thënë se “lufta e UÇK-së, lindi dhe krijoi, gjeneral, si dhe shteti e liria e Kosovës lindi dhe krijoj burrështetas e president”, përfundoi Krasniqi.
Kurse komandanti i ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, gjeneral Rrustem Berisha u shpreh:
“Jam i nderuar dhe shumë i vlerësuar nga ju sot dhe bashkëluftëtarët e mi dje nga Malisheva që ishin në brigadën 138 ” Agim Ramadani”, ajo që sot është e madhe këtu është se jemi të bashkuar, sepse të bashkuar si luftëtar e thyjmë edhe kufirin shqiptaro- shqiptar, më 9 prill. Beteja e Koshares është sinonim i tri fitoreve të mëdha, fitores ushtarake, politike dhe diplomatike të UÇK-së”.
Metush Kryeziu, kryetar i OVL të UÇK-së dega në Malishevë, tha:
“Sot është ditë e madhe për Malishevën dhe historinë e saj sepse për Malishevën në këta flamuj është vet liria e Kosovës, e kombit shqiptar, në betejën e Koshares. Bashkimi i luftëtarëve, theu përgjithmonë mitin serb se ata u mposhtën përballë forcave të UÇK-së dhe kështu u thye kufiri shqiptaro- shqiptar”.
Në fund u nderuan katër heronjët e Kosovës me Flamurin e Brigadës 138 ” Agim Ramadani”
Afrim Mehmet Krasniqi- Tërpezë
Aziz Bajram Gashi- Balincë
Imer Isak Kryeziu- Pagarushë
Izet Islam Morina Astarzup.
Flamujt dhe mirënjohjet i ndanë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi dhe Gjenerali, Rrustem Berisha.
Lavdi dhe nderim dëshmorëve të atdheut!