Rusia mëngjesin e kësaj të premte sulmoi termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, atë të Zaporizhzhias në Ukrainë.
Por që pas bombardimeve, Rusia ka marrë kontrollin e termocentrali
Autoritetet thonë se objekti tani është i sigurt dhe nivelet e rrezatimit janë normale.
Udhëheqësit botërorë kanë akuzuar Rusinë se po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë dhe presidenti i Ukrainës akuzoi Rusinë për “terror bërthamor”.
Presidenti i SHBA-ve Joe Biden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zonës, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të ndalen menjëherë”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se sulmi “i pamatur” mund të “kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës”. Të tre liderët folën me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në telefon.
Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia dëshironte një përsëritje të Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë në vitin 1986.
“Nëse do ketë një shpërthim, ai është fundi i gjithçkaje. Fundi i Evropës”, tha ai.
Në një video nga centrali bërthamor shihen shpërthime që ndriçonin qiellin natën dhe shkaktonin shtëllunga tymi.
Sipas inspektoratit bërthamor të Ukrainës, ndërtesat rreth njërës nga gjashtë njësitë e energjisë të uzinës janë dëmtuar por pa ndikuar në sigurinë e tij.
Punëtorët e uzinës thanë se zjarri – i cili që atëherë është shuar – shpërtheu në një ndërtesë trajnimi jashtë perimetrit të uzinës dhe se vetëm një nga gjashtë reaktorët e uzinës ishte funksional.
Një banor që jeton aty pranë tha se pa ushtrinë ruse duke sulmuar vendin. “Është thjesht terrorizëm… Është shqetësues jo vetëm për rajonin tonë, por për Ukrainën dhe mbarë botën”, tha Kirill Dovzhik për BBC.
Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), tha se zjarri nuk kishte prekur pajisjet “thelbësore” të uzinës dhe nuk kishte rritje të niveleve të rrezatimit.
Por IAEA tha se ishte në “modalitet përgjigjeje të plotë 24/7” për shkak të “situatës serioze” në termocentral.
Shërbimet e urgjencës ukrainase thanë se fillimisht u bllokuan për të shkuar në vendin e zjarrit, duke bërë që presidenti Biden t’i bëjë thirrje publikisht Rusisë që të lejojë zjarrfikësit të hyjnë në vend.
Boris Johnson tha se do të kërkon një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten lidhur me sulmin./TV Malisheva