Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u ka thënë ukrainasve se ata “i kanë bërë ballë goditjes” së pushtimit rus, ndërkohë që u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të luftojnë.

Në një fjalim të mbajtur nga Kievi të shtunën mbrëma, Zelensky tha qytetarëve se ka ardhur koha që ata të nisin një kundërpërgjigje ndaj sulmeve.

“Duhet të dilni dhe ta dëboni këtë të keqe nga qytetet tona,” bëri thirrje Zelensky.

Thirrja për organizim erdhi së bashku me një lutje drejtuar Presidentit të SHBA Joe Biden për të siguruar më shumë avionë luftarakë për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë besohet se janë në diskutime me liderët politikë në Poloni mbi mundësinë që Varshava t’i sigurojë Ukrainës një numër avionësh luftarakë MiG.

Polonia ka filluar të nxjerrë nga përdorimi avionët luftarakë të epokës sovjetike – dhe zyrtarët po mendohen nëse do t’i japin ato Ukrainës, ku pilotët nuk janë të trajnuar për të fluturuar me avionë të prodhimit perëndimor.

Disa raporte sugjerojnë se ato mund të shkëmbehen për zëvendësime të reja të sponsorizuara nga SHBA.

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të 11-të,disa ekspertë pohojnë se pushtimi mund të ketë ngecur në disa vende – pavarësisht këmbënguljes së presidentit Vladimir Putin të shtunën se operacioni “po shkon sipas planit”.

Ndërsa luftimet kanë vazhduar në shumë pjesë të vendit, forcat e Moskës kanë kapur vetëm një qytet të madh ukrainas, Kherson – edhe pse ka bërë përparime të tjera kyçe, siç është kapja e termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të premten./TV Malisheva

Share.