Rusia tha se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.

Zëvendëskryeministri Alexander Novak tha se “refuzimi i naftës ruse do të çonte në pasoja katastrofike për tregun global”, duke bërë që çmimet të dyfishohen në 300 dollarë për fuçi.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke shqyrtuar ndalimin e mundshëm të naftës ruse, si masë ndëshkuese për Rusinë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Por, Gjermania dhe Holanda e hodhën poshtë planin të hënën.

Bashkimi Evropian merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë nëse furnizimet ndërpriten.

Në një fjalim në televizionin shtetëror rus, Novak tha se “do të jetë e pamundur të gjendet shpejt një zëvendësues për naftën ruse në tregun evropian”.

“Do të duhen vite dhe do të jetë akoma shumë më e shtrenjtë për konsumatorët evropianë. Ata do të dëmtohen më së keqi nga ky skenar”, tha ai.

A ia del Evropa pa gazin rus?

Rusia është prodhuesja më e madhe në botë e gazit natyror dhe prodhuesja e dytë më e madhe e naftës së papërpunuar.

Çdo veprim që sanksionon industrinë e saj të energjisë do ta dëmtonte keq ekonominë e saj.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, që përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, u rrit të martën për 3.7%, përkatësisht në më shumë se 127 dollarë për fuçi, në tregtinë e Azisë.

/TV Malisheva

Share.