Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë për Sky News se vendi i tij nuk mund ta ndalë luftën kundër Rusisë i vetëm dhe tha se shtetet e tjera duhet të veprojnë tani përpara se të jetë shumë vonë.
Duke folur me korrespondentin special të Sky News brenda zyrës së liderit në kryeqytetin e Ukrainës, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për Perëndimin që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi.
“Mbyllni qiellin dhe ndaloni bombardimet,” tha ai, duke apeluar që bota të veprojë më shpejt.
I pyetur për shqetësimet perëndimore rreth potencialit të një zone ndalim-fluturimi që do të përshkallëzojë konfliktin dhe do të sjellë një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë duke e përkeqësuar atë, ai tha: “Më keq për kë? Për familjet tona? Jo… Për ta…? Kush e di? Askush nuk e di. Por ne e dimë se pikërisht kjo tani është shumë e keqe dhe në të ardhmen do të jetë tepër vonë”.
“Më besoni, nëse zgjatet në këtë mënyrë, do të shihni… ata do të mbyllin qiellin, por ne do të humbasim miliona njerëz. Lufta e tretë botërore do të fillojë dhe vetëm atëherë do të krijoni një zonë ndalim-fluturimi – por do të jetë tepër vonë,” shtoi ai.