Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka humbur transmetimin në distancë të të dhënave nga sistemet e saj të sigurisë, të instaluara për të monitoruar materialin bërthamor në centralet bërthamore të Çernobilit dhe Zaporizhias.
“Ditët e fundit IAEA ka humbur transmetimin e të dhënave në distancë nga sistemet e saj të sigurisë, të instaluara për të monitoruar materialin bërthamor në centralin atomik të Çernobilit dhe një tjetër centrali bërthamor ukrainas, që tani kontrollohet nga forcat ruse, atë të Zaporizhias”, theksoi IAEA.
Drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Mariano Grossi tha se ishte i shqetësuar për ndërprerjen e papritur të këtyre të dhënave në selinë e IAEA në Vjenë nga të dy centralet.
Arsyeja e ndërprerjes në transmetimin e të dhënave mbrojtëse nuk ishte e qartë.
IAEA vazhdon të marrë të dhëna të tilla nga objektet e tjera bërthamore në Ukrainë, duke përfshirë tre centralet e tjera atomike.
Grossi thekson se megjithëse ekzistojnë veçori teknike për të siguruar që të dhënat të ruhen në nivel lokal, kapaciteti i ruajtjes dhe statusi operacional i sistemeve të monitorimit mbeten të pasigurta.
/TV Malisheva