Pas lajmit të publikuar mëngjesin e enjtes mbi vendimin e qeverisë britanike për ngrirjen e aseteve të Roman Abramovich dhe të gjitha lëvizjet e tij të lidhura gjithashtu me operacionet e Chelseat, shumë dyshime dhe mbi të gjitha shumë shqetësime për tifozët janë shfaqur për efektet e këtij vendimi.
Po cilat janë efektet direkte që e prekin skuadrën e Chelseat pas këtij vendimi?
Në fakt, Chelsea mund të vazhdojë të paguajë lojtarët dhe stafin aktual, të bëjë dhe të marrë pagesa, por nuk mund të nënshkruajë kontrata të reja për lojtarët dhe stafin, përcjellë TV Malisheva.
Në këtë rast, lojtarët si Antonio Rudiger, Andreas Christensen dhe Cesar Azpilicueta kanë kontrata që skadojnë më 30 qershor dhe për momentin ata nuk do të jenë në gjendje të bien dakord për të rinovuar.
Më tutje, “Blutë” e Londrës nuk do të mund të kryejnë operacione në treg deri në një njoftim tjetër. Ata po ashtu raportohet se nuk do të mund të shesin bileta të reja për tifozët e tyre.