Ukraina siç duket nuk e ka ndërmend ta njoh Kosovën, ani pse shteti më i ri në Evropë i ka dhënë përkrahje kundër Rusisë.
Këtë e ka konfirmuar ambasadori ukrainas në Beograd, Alexander Alexandrovich.
Ai ka thënë se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar, dhe as që pritet të ndryshojë.
“Ukraina vlerëson qëndrimin e Serbisë, duke votuar për një rezolutë të OKB-së dhe duke dënuar agresionin rus, dhe sa i përket Kosovës, mund të them se qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, as nuk do të ndryshojë – Ukraina respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, përfshirë Kosovën”, ka thënë ai.
“Kujtojmë se 141 shtete mbështetën Ukrainën dhe dënuan agresionin rus dhe vetëm pesë vende ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Bjellorusinë. Kjo do të thotë se Ukraina mori mbështetje të fortë jo vetëm nga perëndimi por nga të gjitha vendet e botës. Për mua si Ambasador në Beograd Ishte shumë e rëndësishme që Serbia e mbështeti Ukrainën dhe atë rezolutë, siç i thashë presidentit Vuçiq dhe zyrtarëve të tjerë serbë, e cila ishte shumë e drejtë dhe i jam mirënjohës qeverisë serbe për votën”, tha ai.
Ndonëse nga Ukraina erdhën paralajmërime se njohja e Kosovës mund të vijë në një moment tjetër, kështu nuk thotë ambasadori Alexandrovich.
“Thjesht mund të përsëris qëndrimin tonë zyrtar, i cili nuk ka ndryshuar që në fillim dhe nuk do të ndryshojë, e ai është se ne respektojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, duke përfshirë edhe Kosovën”, tha ai.
/TV Malisheva