Mijëra qytetarë të Shqipërisë kanë marshuar të shtunën në Tiranë, duke shënuar ditën e katërt të shprehjes së pakënaqësisë për rritjen e çmimeve në vend.
Ata kërkuan përreth dy orë mbrojtjen e shtresave të varfra nga shtrenjtimi i tregjeve, duke hedhur poshtë shpjegimet e Qeverisë se luhatjet e tregut kanë ndodhur si pasojë e luftës në Ukrainë.
Protestues të shumtë thanë se Qeveria po justifikon krizën për shkak të luftës, porse qytetarët janë në krizë të përhershme për shkak të çmimeve të larta që janë të papërballueshme për rrogat e tyre të ulëta.
Protestuesit kundërshtojnë shtrenjtimin e karburanteve dhe ushqimeve, duke i kërkuar Qeverisë mbikëqyrjen e tregjeve.
Fjalën në tubim e morën spontanisht qytetarë të zakonshëm, aktivistë, artistë e fermerë që shprehën zemërimin dhe pasigurinë e tyre përballë shtrenjtimit të jetesës.REL
Protestat e ditëve të fundit janë organizuar pasi çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rritje të hovshme, duke arritur të mërkurën në nivel rekord prej 260 lekësh (2.03 euro) për litër nga 230 lekë për litër (1.80 euro) një ditë më herët.
/TV Malisheva