Ka pak ide dhe akoma më pak politika se si të përballet Rusia me gjendjen ekonomike, që i është rënduar nga sanksionet e Perëndimit.
Të enjten, presidenti Vladimir Putin urdhëroi kabinetin e tij që të “veprojë me vendosmëri” kundër një pjese të kompanive të huaja që largohen nga tregu rus pas pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe vendosjes së sanksioneve gjithëpërfshirëse.
“Në asnjë rast nuk duhet të lejojmë dëmtim të furnitorëve vendas. Është e nevojshme futja e menaxhimit të jashtëm, dhe transferimi i ndërmarrjeve tek ata që duan të punojnë. Ne kemi mjete të mjaftueshme ligjore për ta bërë këtë”, tha Putin.
Plani i presidentit do të çonte në nacionalizim – propozimi i vetëm i politikës ekonomike që ka trazuar Kremlinin dhe politikëbërësit ekonomikë të Rusisë, ndërsa ata qëndrojnë në prag të një krize ekonomike të paprecedentë.
Me pak mjete në dispozicion dhe me një ekonomi kombëtare që shpërbëhet pothuajse para syve të tyre, qeveria ruse është shfaqur e paralizuar, thonë analistët, duke kërkuar politika të epokës sovjetike – si shtetëzimi, kontrollet e monedhës dhe kufizimet e çmimeve – në një përpjekje për të zbutur goditjen.
“Për sa i përket qeverisë, problemi është se ata heshtin për ekonominë”, tha Ruben Enikolopov, një ekonomist dhe rektor i Shkollës së Re Ekonomike të Moskës.
“Reagimi i parë për shumë prej tyre – sepse janë rritur në Bashkimin Sovjetik, pra ky është mentaliteti që ata kanë – është kontrolli i çmimeve dhe gjëra të tilla. Ata mund të punojnë përkohësisht, por në afat të gjatë është një fatkeqësi për ekonominë”, tha ai.
Ndërsa Banka Qendrore e Rusisë u fut shpejt në modalitetin e shuarjes së zjarrit – rritje drastike të normave të interesit, mbyllja e tregut të aksioneve, ofrimi i likuiditetit të pakufizuar për bankat dhe shtrëngimi i eksportuesve për të shitur fitimet e tyre në monedhë të fortë – Kremlini ka ofruar pak përtej retorikës për sa i përket mënyrës se si synon të luftojë një rënie ekonomike që ekonomistët presin do të kalojë lehtësisht një rënie prej 20 pqr qind këtë vit.
“Deri më tani nuk ka pasur një pozicion shumë të fortë qeveritar”, tha Mario Bikarski, një analist në Economist Intelligence Unit.
“Nuk ka pasur asnjë masë konkrete ose të përcaktuar qartë për t’iu përgjigjur këtyre sanksioneve”.
“Anëtarë të ndryshëm të qeverisë, përfshirë Putinin, kanë thënë se situata do të menaxhohet dhe se Rusia do të mbijetojë. Por ajo që ata kanë zbatuar deri më tani janë gjëra të tilla si uljet e taksave, pushimet e kreditit dhe disa mbështetje financiare për bizneset e mëdha. Kjo nuk do të mjaftojë aspak”, ka thënë Bikarski.
Një përgjigje e dobët e politikës është shoqëruar me një rritje të mprehtë në retorikën mbrojtëse dhe sfiduese, duke pasqyruar qasjen e Moskës ndaj fushatës së saj ushtarake. Në fillim të kësaj jave, partia në pushtet “Rusia e Bashkuar” prezantoi një projektligj në Parlament që do të vendoste kontrollin e çmimeve për mallrat kryesore – një qasje që Rusia miratoi vitin e kaluar kur inflacioni filloi të rritet për herë të parë.
“Një luftë sanksionesh është shpallur kundër nesh”, tha deputeti Oleg Morozov.
“Faktorët spekulativë po i rrisin çmimet… kjo është një shkelje e konkurrencës së ndershme dhe normave morale. Ai cenon sigurinë ekonomike të vendit dhe është një veprim kundër popullit tonë”, thotë deputeti.
Por ekonomistët thonë se nuk është vetëm mungesa e ideve që e ka frenuar qeverinë ruse të reagojë më me vendosmëri ndaj recesionit të afërt.
“Është vërtet e vështirë të imagjinohet se çfarë mund të bëjë qeveria. Në një farë kuptimi ata janë peng i kësaj situate”, tha Enikolopov.
“Të gjitha ngjarjet kryesore janë krejtësisht të palidhura me vendimet e qeverisë”.
Rusia për vite me radhë ishte shpallur si një model i menaxhimit financiar të fortë, konservator ortodoks – borxh i ulët, rezerva të larta, një suficit qeveritar. Por pushtimi i Ukrainës dhe sanksionet e ashpra perëndimore e vranë atë bilanc brenda natës. Tani qeveria përballet me shpenzime më të larta për të financuar një fushatë potencialisht të gjatë ushtarake në Ukrainë, një goditje ndaj të ardhurave nga një recesion i thellë në vend dhe një hezitim për të blerë mallra ruse në tregjet e tyre kryesore të eksportit, të shoqëruara nga një paaftësi e plotë për të mbledhur fonde nga tregjet perëndimore.
“Në vitet 1990 kishte një mbështetje ndërkombëtare që i vinte në ndihmë Rusisë gjatë kësaj kohe krize”, tha Bikarski.
“Kjo nuk do të ndodhë tani. Rusia praktikisht nuk do të ketë akses në asnjë financim apo mbështetje ndërkombëtare”.
“Masat më ekstreme, të tilla si mospagimi i borxhit të kompanisë ose shtetëzimi i pronës së investitorëve të huaj, do të krijojnë dëme që mund të zgjasin me vite – ndoshta dekada”.
Shqetësimi ndaj reagimit ekonomik të Moskës ndaj sanksioneve është rritur që nga pushtimi.
Në një ndërhyrje të rrallë, aleati i Putinit dhe një nga oligarkët më të pasur të Rusisë, Vladimir Potanin, paralajmëroi të premten se shtetëzimi i kompanive të huaja do të ishte si ta kthente Rusinë në ditët pas Revolucionit Bolshevik të 1917-ës.
Por Enikolopov ka frikë se tundimi i masave si shtetëzimi dhe çmimet e mandatuara nga qeveria mund të jenë tepër të mëdha për Kremlinin për t’i shmangur.
“Rreziku i kësaj qasjeje është se funksionon në afat të shkurtër. Por kjo është një krizë që do të zgjasë shumë”, tha ai.
“Sa më afër të jemi me një ekonomi të planifikuar, sa më shumë të ndërhyjë dhe të shtetëzohet qeveria, aq më e vështirë do të jetë për ekonominë të përshtatet dhe më shumë gjasa do të përfundojë shumë keq”, tha oligarku.
SHBA dhe BE i kanë vendosur sanksione Rusisë, që në historinë botërore janë të paprecedenta, si shkak i pushtimit të Ukrainës nga Putini.
Ekonomia ruse është drejt recensionit, e që përmes sanksioneve Perendimi po e detyron Putinin të dorëzohet.
/TV Malisheva