Në kuadër të aktiviteteve të përditshme të drejtorive komunale në Komunën e Malishevës, sot drejtoresha e arsimit, Arbëresha Krasniqi dhe drejtori i urbanizmit, Avdi Morina, i kanë vizituar shkollat në Marali dhe Dragobil, për të parë nga afër punimet në ndërtimin e objekteve dhe anekseve të reja në këto dy shkolla.
“Krijimi i hapësirave të majftueshme për të zhvilluar procesin mësimor në një ndërrim në të gjitha shkollat e komunës sonë, është prej qëllimeve tona kryesore dhe besoj se shumë shpejtë edhe në këto dy shkolla do të përfundojnë punimet dhe mësimi të mbahet në një ndërrim”, ka thënë drejtoresha Krasniqi, përderisa ka bërë të ditur se shumica e shkollave në Komunën e Malishevës, mësimin e zhvillojnë në një ndërrim.
Ndërsa drejtori i urbanizmit, Avdi Morina, ka bërë të ditur se aneksi në shkollën në Marali, është duke u financuar nga Komuna e Malishevës, ndërsa objekti shkollës së re në Dragobil, është projekt që financohet nga Ministria e Arsimit, ndërsa punimet po shkojnë mirë në ndërtimin e tyre dhe besojmë që shumë shpejtë edhe këto objekte do të jenë gatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite, drejtorët Morina e Krasniqi janë njoftuar edhe me nevojat tjera që kanë shkollat, në aspektin e infrastrukturës./TV Malisheva