Dy vite më parë, më 14 mars në Malishevë u konfirmua rasti i parë me covid-19, raporton TV Malisheva.

Një grua 37 vjeçare nga Malisheva me vendqëndrim në fshatin Bubavec, rezultoi pozitivë me koronavirus.

Pas rastit të parë në Malishevë, kryeministri Albin Kurti kishte vendosur që edhe komuna e Malishevës të shkojë në karantinë.

Kryetari aktual i Malishevës, Ekrem Kastrati ka kujtuar 14 marsin e 2020, duke vlerësuar lartë menaxhimin që bëri komuna e Malishevës në kohë të pandemisë.

“Sot dy vite, jemi futur në karantinë, i tërë territori i komunës sonë, për 51 ditë të plota, por falë punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të të gjithë atyre që kanë qenë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate, jemi bërë komunë shembull për menaxhimin e kësaj situate emergjente shëndetësore.”– ka thënë ndër të tjerash Kastrati.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Malishevës,

sot u bënë dy vite që kur është regjistruar rasti i parë me Covid-19 në Komunën e Malishevës. Që nga kjo periudhë, ne si komunë jemi ballafaquar me sfida të shumta, por mbi të gjitha ja kemi dalë, që në mënyrën më të mirë ta menaxhojmë këtë situatë dhe për këtë, shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për vetëdijen, kulturën dhe mirëkuptimin e treguar gjatë këtyre dy viteve, duke na lehtësuar menaxhimin e kësaj situate, me përmasa globale. Sot dy vite, jemi futur në karantinë, i tërë territori i komunës sonë, për 51 ditë të plota, por falë punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të të gjithë atyre që kanë qenë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate, jemi bërë komunë shembull për menaxhimin e kësaj situate emergjente shëndetësore.

E di që ka qenë e vështirë për të gjithë, por me punë dhe angazhim të përbashkët ja kemi arritë. I  falënderoj të gjithë ata që kanë qenë dhe janë angazhuar në menaxhimin e kësaj situate, duke filluar nga punëtorët shëndetësor, të cilët me përkushtimin më të lartë i kanë trajtuar rastet, pastaj Policinë në Malishevë, të cilët në mënyrë të shkëlqyer e kanë kryer detyrën e tyre, në zbatimin e masave kundër covid.

Në mënyrë të veçantë e falënderoj ish kryetarin e  Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe të gjithë drejtorët e zyrtarët tjerë komunal, të cilët kanë qenë të angazhuar në menaxhimin e kësaj situate, madje duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre, me qëllimin e vetëm, për ti ofruar shërbimet e nevojshme për qytetarët e komunës sonë

Gjatë këtyre dy viteve, në komunën tonë, me covid-19 janë regjistruar 3450 raste, ndërsa 86 prej tyre kanë humbur jetën. Ju shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre, gjatë kësaj kohe.

Ne si komunë, do të vazhdojmë të merremi seriozisht me këtë situatë, deri në përfundimin zyrtar të emergjencës shëndetësore, ashtu sikur jemi angazhuar deri më tani.

 

Uroj që kjo situatë të përfundoj sa më shpejtë!

DSC_0468.JPG

 

DSC_0494.JPG

Share.