Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet të udhëtojë në Bruksel gjatë javës së ardhshme, për tu takuar me liderët e NATO-s për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, thanë burime amerikane për Reuters.
Plani i cili ende nuk është finalizuar, thotë që Biden do të takohet me udhëheqës të tjerë nga aleanca e NATO-s në Bruksel më 23 mars.
Ata paralajmëruan se planet mund të ndryshojnë duke pasur parasysh situatën në Ukrainë.
Takimi vjen ndërsa forcat ruse vazhdojnë të përshkallëzojë sulmet e tyre.
Një burim i tha Reuters se Biden mund të udhëtojë gjithashtu në Poloni, ku shqetësimet janë rritur pas një sulmi rus në një bazë të madhe ukrainase ku u vranë 35 persona.
Vendet anëtare të NATO-s janë të shqetësuara për konfliktin ushtarak me fuqinë bërthamore Rusinë.
Biden ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë forca në Ukrainë, por do të mbrojnë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s.
Që kur filloi pushtimi rus në Ukrainë, sulmi më i madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë koordinuar sanksione të gjera kundër Moskës dhe Presidentit Vladimir Putin.
/TV Malisheva