Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama priti sot në takim Përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zv.President i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Pas takimit, Rama dhe Borrell mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar që deklaroi se akuzat e Rusisë se Shqipëria dhe Kosova kanë dërguar mercenarë në Ukrainë janë të pavërteta dhe shqetësuese.

Rama: Akuzat e Rusisë për mercenarë të pabaza

Përsa i përket asaj që ishte më e rëndësishme, që kishte të bënte me propagandën ruse, në diskutuam edhe një aspekt tjetër që ka të bëjë me përmendjen e vazhdueshme të Shqipërisë nga ana e autoriteteve të Moskës, si një prani problematike në këtë konflikt dhe akuza se Shqipëria po furnizon Ukrainën me mercenarë, së bashku me Kosovën, është një akuzë, në radhë të parë, pa asnjë bazë sepse kjo është e pavërtetë, por edhe shqetësuese”, deklaroi Rama.

Edhe përfaqësuesi i lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Borrell u shpreh i shqetësuar me ndërhyrjen ruse në Ballkanin Perëndimor si dhe me dezinformatat.

Borrell: Jemi të shqetësuar nga influenca ruse në Ballkanin Perëndimor

Sigurisht që jemi të shqetësuar nga ndërhyrja dhe influenca e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por kjo nuk është diçka e re. Dezinformimi rus është një fjalë që ne përdorim për të folur propagandën dhe gënjeshtrat sistematike, është rritur, ne e shikojmë dhe e perceptojmë këtë gjë. […] Ne duhet ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse, kudo ku ajo ndodhet në Ballkanin Perëndimor, në disa vende më shumë se në disa të tjera. […] Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Ballkani Perëndimor do jetë fushë beteje për ide, për të ardhmen, për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra, secilën rrugë do ndjekin vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen dhe kjo natyrisht rigjallëron një proces i cili është varur në çështje, të cilat përpara luftës dhe përpara kësaj tragjedie njerëzore dhe kësaj vuajtjeje të miliona njerëzve, tashmë duket sikur nuk është kaq e rëndësishme sa ka qenë”, vijoi Borell.

Rama deklaroi se në takim me Borrelin është diskutuat edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe qëndrimin e Shqipërisë në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian, në raport me Rusinë dhe agresionin rus mbi Ukrainën.

Gjithashtu, është diskutuar edhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe konkretisht, e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim.

Rama: Bisedimet për anëtarësim do ishte mirë të hapeshin në qershor

“I takon Këshillit Evropian, sa më parë ta bëjnë, aq më në nderin e tyre është sepse po kalon shumë kohë, duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet por ne kuptojmë që tanimë nuk është çështja e një vullneti të përbashkët të Këshillit Evropian sepse të gjitha vendet janë tani të gatshëm ti çelin këto bisedime; është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor, do ishte mirë ta bënte, por edhe nëse nuk e bën, ne këtu jemi prapë dhe presim kur të bëhet, por nuk presim asnjë sekondë për të vazhduar të njëjtat punë që kemi bërë, që duhet të bëjmë dhe që do të bëjmë dhe që na afrojnë gjithmonë e më shumë me standardet e Bashkimit Evropian, këtu në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Borell konfirmoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave dhe tha se do të këmbëngul që kjo gjë të ndodhë gjatë presidencës franceze.

Borrell: Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave

“Shqipëria i ka përmbushur tashmë me kohë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe edhe një herë, me zë të fortë e them dhe e mbështes punën që bëhet. Unë do të vazhdoj të mbështes çeljen e negociatave gjatë presidencës franceze. Nuk është një datë e caktuar por është horizonti dhe koha dhe ajo që unë por them për Shqipërinë është e vërtetë edhe për Maqedoninë e Veriut. […] Jemi të angazhuar, të përkushtuar dhe unë, pra gjithmonë nga këndvështrimi më i gjerë që ka të bëjë me stabilitetin rajonal, me politikën e jashtme të gjitha institucionet e kanë kuptuar fare qartë rëndësinë që sot më shumë se kurrë ne duhet të përfaqësojmë evropianët e bashkuar me integrimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo duhet përmbushur në atë horizont kohor, sa më konkret që të jetë e mundur, brenda presidencës franceze”, tha Borrell.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Borrell ka paraparë edhe vizitë me ministren për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka si dhe me shoqërinë civile.

/TV Malisheva

Share.