Çmimi me të cilin zhdoganohet sot nafta është më pak se 97 lekë për litër, por deri në serbatorin e automjeteve të shqiptarëve do të arrijë në 211 lekë.
Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit vendosi të mbajë një nivel tavan për naftën dhe benzinën.
Çmimi me shumicë do të jetë 206 lekë/litri, ndërsa me pakicë do të jetë 211 lekë/litri. Sa i takon gazit, tavani i shitjes vazhdon të jetë 93 lekë për litër.
Sipas Aktit Normativ që i jep fuqi veprimi Bordit, çmimit të naftës së rafinuar i shtohet një premio prej 20 dollarësh për ton, së bashku me taksat dhe tatimet. Ndërsa kompanitë e tregtimit me shumicë kanë një marzh fitimi prej 1%, ndërsa ato me pakicë jo më shumë se 5%.
Sipas kësaj formule, në çmimin prej 211 lekësh, kompanitë e naftës kanë një fitim deri në 5 lekë për litër, ndërsa qeveria mbledh 109 lekë nga taksat. Por pavarësisht kësaj peshe të madhe në çmim, kryeministri ka deklaruar se nuk do të prekë nivelin e barrës tatimore mbi karburantet, siç ka bërë pjesa tjetër e rajonit.
Një ndikim në rritjen e çmimit ka pasur edhe forcimi i ndjeshëm i dollarit amerikan kundrejt lekut, që në harkun e 3 javëve është rritur me mbi 5%, në 111.8 lekë. Pa këtë zhvlerësim, çmimi i naftës në pikat e karburantit do të ishte edhe 5 lekë më lirë.
Mëngjesin e së martës, në bursat ndërkombëtare nafta bruto preku për herë të parë nivelet e para luftës në Ukrainë, nën 98 dollarë për fuçi. Nëse kjo rënie do të reflektohet e plotë në tregun tonë, duhet të ketë një rikthim në nivelin e 195 lekëve për litër brenda pak ditëve.
/TV Malisheva