Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg mbajti një konferencë për shtyp pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s për krizën në Ukrainë, por edhe masat konkrete për forcimin e mbrojtjes së NATO-s.

Stoltenberg ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin duhet ta ndalojë menjëherë luftën, të tërheqë forcat e tij dhe të angazhohet në përpjekjet diplomatike.

“NATO nuk do të tolerojë një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të anëtarëve të saj. Ne kemi aktivizuar tashmë planet tona të mbrojtjes për të mbrojtur aleancën. Qindra-mijëra ushtarë janë në gatishmëri të lartë gjatë gjithë Aleancës”, tha Stoltenberg, duke shtuar se Aleanca po përballet me një realitet të ri.

“Në tokë, ne kemi nevojë për shumë më shumë forca në krahun lindor të Aleancës në një gjendje të lartë gatishmërie. Ne kemi nevojë për më shumë avionë në ajër dhe mbrojtje të integruar, të përforcuar ajrore dhe raketore. Ne kemi nevojë për nëndetëse dhe aeroplanmbajtëse në det”, ka thënë Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se “aleatët janë të bashkuar në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, por edhe në faktin që NATO nuk duhet të vendosë forca në tokë ose të dërgojë aeroplanë në hapësirën ajrore të Ukrainës”.

“Ne duhet të sigurohemi, kemi përgjegjësinë që lufta të mos përhapet përtej Ukrainës. Ne shohim vdekje, shkatërrim, vuajtje njerëzore, por kjo situatë mund të përkeqësohej nëse NATO do të bënte diçka që do ta kthente këtë në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Prandaj, aleatët janë të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës”, tha Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s nuk do të vendosen as në tokë dhe as në ajër, dhe ky është një pozicion i bashkuar.

I pyetur nëse Rusia mund ta fitojë këtë luftë, Stoltenberg tha se duhet pasur kujdes në vlerësime të tilla dhe përsëri lavdëroi forcat ukrainase. Ai shtoi se edhe Putin e nënvlerësoi NATO-n, por se Aleanca reagoi shpejt dhe e bashkuar.

/TV Malisheva

Share.