Ukraina dhe Rusia i marrin seriozisht bisedimet e paqes, por mbetet një hendek shumë i madh midis dy palëve, thanë sot zyrtarët perëndimorë, duke shtuar se presidenti rus Vladimir Putin nuk duket i gatshëm për kompromis.

Edhe pse të dyja palët vunë re përparim të kufizuar në negociata këtë javë, Putin tregoi pak shenja butësie në fjalimin e tij, duke akuzuar “tradhtarët dhe llumrat” në vendin e tij se po ndihmojnë Perëndimin dhe duke thënë se populli rus do t’i shtypë si mushkonja.

“Të dyja palët i marrin seriozisht (negociatat), por ka një hendek shumë, shumë të madh në qëndrime,” tha një zyrtar perëndimor për Reuters në mënyrë anonime.

“Ata që e panë presidentin Putin duke iu drejtuar kombit dje, do t’iu falej për mendimin se Rusia nuk është në disponim për kompromis”, tha një zyrtar tjetër.

Negociatori ukrainas tha se modeli i garancive ligjërisht të detyrueshme të sigurisë për Ukrainën ishte “në tryezën e negociatave”.

Kjo do të nënkuptonte një grup aleatësh që do të duhej të mbronin Ukrainën në rast të një sulmi rus.

Një zyrtar perëndimor tha se detajet se kush do të ishte garantuesi i sigurisë janë temë e bisedimeve me partnerët ndërkombëtarë, por është e rëndësishme të vendosen kushte.

Të pyetur për rolin e Kinës dhe gatishmërinë e saj për të furnizuar me armë Rusinë, zyrtarët perëndimorë thanë se ata besojnë se Pekini zyrtar është ende duke formuar përgjigjen e tij.

“Udhëheqja e tyre do të dëshironte të mbështeste Rusinë, por është gjithnjë e më i vetëdijshëm se sa keq po shkon aktualisht ky (pushtim) dhe një goditje e mundshme reputacioni e lidhur me kampin rus,” tha një zyrtar.

“Është një pamje komplekse dhe nuk është aspak statike”, shtoi ai.

Share.