Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në orët e para të së shtunës iu drejtua përmes një video-mesazhi Rusisë duke thënë se është koha për të folur.
“Unë dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht dua që të më dëgjojnë ata në Moskë. Është koha për t’u takuar, koha për të folur, koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën, ose përndryshe Rusia do të përballet me humbje të tilla që disa breza nuk do të mjaftojnë që të ngrihet përsëri”, tha ai në videon e postuar në Facebook.
Zelensky tha se veprimet e ushtrisë ruse po përkeqësonin situatën për vendin e tyre dhe se negociatat e ndershme “pa ngecje” ishin e vetmja mënyrë për të zbutur dëmin.
“Ne gjithmonë kemi insistuar për negociata -vijoi Zelensky- ne gjithmonë propozonim dialog dhe zgjidhje për paqen. Jo vetëm gjatë 23 ditëve të pushtimit”.
Presidenti shtoi se 180,000 ukrainas janë shpëtuar përmes korridoreve të evakuimit deri më sot, dhe se shtatë korridore po funksiononin në vend të premten – gjashtë në rajonin e Sumy dhe një në rajonin e Donetsk. PO punohet që të largohen sa më shumë njerëz nga teatri i Mariupolit.
“Lufta duhet të ndalet. Propozimi ukrainas është në tryezë”, përfundoi Zelensky.
/TV Malisheva