Presidenti rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayypi Erdogan ia ka parashtruar disa çështje se si do të pranonte një armëpushim me Ukrainën.
Erdogan ofroi të sillte Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi për të lehtësuar negociatat për t’i dhënë fund luftës, tha të shtunën zëdhënësi i presidentit turk, İbrahim Kalin, në një intervistë për gazetën turke Hurriyet.
Kalin tha se derisa Zelensky ishte gati për t’u takuar, Putini parashtroi çështjet që duheshin zgjidhur përpara se të zhvilloheshin negociatat në nivel lidershipi.
“E para është neutraliteti i Ukrainës, domethënë heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Së dyti, çarmatimi dhe garancitë reciproke të sigurisë në kontekstin e modelit austriak. Së treti, procesi që pala ruse i referohet si ‘denazifikimi’. Së katërti, heqja e pengesave për përdorimin e gjerë të gjuhës ruse në Ukrainë”, ka thënë Kalin.
Putin dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë kanë bërë vazhdimisht akuza të rreme ndaj Ukrainës si arsyetime të të tyre për pushtimin e Ukrainës, duke thënë pa ndonjë bazë se vendi duhet të “denazifikohet”.
Kalin shtoi se Putini bëri dy kërkesa të tjera që ishin “çështjet më të vështira”, njëra ishte njohja e aneksimit të Krimesë dhe dy “të ashtuquajturat” republika në Donbas.
Kalin tha se këto dy çështje të fundit “janë kërkesa të papranueshme për Ukrainën dhe komunitetin ndërkombëtar”.
Kalin tha se Erdogan i kërkoi Putinit se armëpushimi duhet të bëhet i përhershëm.
Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë tha të enjten se Erdogan ofroi të presë të dy presidentët në Stamboll ose në Ankara, duke thënë se “konsensusi për disa çështje mund të kërkojë bisedime në nivel lidershipi”.
/TV Malisheva