Udhëheqësi i grupit kriminal, Veljko Belivuk, akuzohet për krime brutale duke përfshirë shtatë vrasje. Ai i ka thënë prokurorit se ka punuar për shtetin, me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Belivuk këtë koment e ka bërë gjatë mbrojtjes së tij në lidhje me hetimin për dy vrasje të tjera, përkatësisht likuidimin e Goran Mihajloviqit dhe Nikola Mitiqit.
Siç shkruan media serbe Nova, ai i ka mohuar vrasjet, duke thënë se grupi i tifozëve “Principi” është formuar për nevoja dhe me urdhër të Vuçiqit.
Mafiozi serb ka folur për marrëdhëniet me presidentin serb, për të cilin tha se e “ka goditur familjen e tij”.
“Nëse dikush do të ishte sjellë në mënyrë më njerëzore, po të mos kishte prekur familjen, sikurse unë nuk e kam prekur familjen e askujt, ndoshta do të ishte ndryshe”, tha ai në seancën para Prokurorisë për Krimin e Organizuar.
I njohur ndryshe si Velja Nevolja, po ashtu ka thënë se me urdhër të politikës së bashku me Zvonko Veselinoviqin dhe Aleksandar Stankoviqin (Sale Mutavi) ka dërguar huliganët e tij për demoluar objektet në rrugën Hercegovaçka në Beograd, duke paralajmëruar se do të japë më shumë detaje për lidhjen e tij biznesore me organet e shtetit.
Duke qenë se kjo nuk është hera e parë që Belivuk jep detaje të marrëdhënies së tij me shtetin, lind pyetja se çfarë ai mund të zbulojë më tepër, pasi që lista e rasteve të tilla që publiku serb dyshon është e gjatë./TV Malisheva