Ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës ishte tema kryesore e takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së sot në Bruksel, por se nuk janë marrë vendime konkrete për lëvizjet e ardhshme të BE-së duke përfshirë sanksionet e reja kundër Rusisë.
Borrell tha se masat kufizuese do të vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e qasjes së BE-së dhe vë në dukje se BE-ja është e gatshme të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Rusisë në koordinim me partnerët e saj.
Në të njëjtën kohë, sipas Borrell, BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën politikisht, financiarisht dhe nga ana humanitare, duke përfshirë ndihmën për forcat ushtarake të Ukrainës.
“Kemi arritur një marrëveshje politike për ndarjen e 500 milionë eurove shtesë nga Instrumenti Evropian i Paqes. Ne besojmë se ajo që po ndodh në Ukrainë është një krim lufte i kryer nga forcat ushtarake ruse kundër civilëve ukrainas dhe kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje”, tha Borrell.
Shefi i diplomacisë së BE-së thotë gjithashtu se për shkak të shkatërrimit të qyteteve nga Rusia, aktualisht janë 3.3 milionë refugjatë nga Ukraina dhe vlerëson se presidenti rus Vladimir Putin po i përdor refugjatët si armë.
“Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë të gjithë,” tha Borrell, duke shtuar se BE do të kërkojë që Rusia të dënohet për krime lufte dhe shkelje të së drejtës humanitare dhe ndërkombëtare.