Adoleshentët që rrinë ulur për orë të tëra gjatë ditës kanë një shans të shtuar për të zhvilluar depresion në adoleshencë, paralajmëroi studimi.
Studiuesit monitoruan nivelet e aktivitetit të 4200 adoleshentëve të moshës 12 deri në 16-vjeç duke përdorur përshpejtues, pajisje që monitorojnë aktivitetin e trupit. Më pas ata u morën në pyetje për shëndetin e tyre mendor, më vonë në adoleshencë.
Për çdo 60 minuta që një fëmijë kalonte gjatë ditës pa aktivitet fizik, mundësia e shfaqjes së simptomave të depresionit në moshën 18-vjeçare ishte 10 për qind më e lartë.
Te fëmijët që kaluan disa orë pa aktivitet fizik gjatë ditës, për një periudhë më të gjatë, probabiliteti i zhvillimit të depresionit deri në moshën 18-vjeç ishte 28.2 për qind më i lartë.
Aktiviteti i lehtë është treguar se i zbut këto efekte, gjë që është më shumë një arsye për të inkurajuar fëmijët të bëjnë punë të ndryshme.
Autori i studimit, Aaron Candola, një mjek në University College London (UCL), tha se gjetjet e tyre tregojnë se të rinjtë që janë joaktivë për më shumë ditë gjatë adoleshencës përballen me një rrezik më të lartë të depresionit gjatë adoleshencës.
“Ne kemi zbuluar se jo vetëm format më intensive të aktivitetit janë të mira për shëndetin tonë mendor, por çdo nivel aktiviteti fizik do të jetë i dobishëm dhe do të zvogëlojë kohën që kalojmë ulur”, tha Candola.
“Ne duhet të inkurajojmë njerëzit e të gjitha moshave që të lëvizin më shumë dhe të ulen më pak, sepse kjo është e mirë për shëndetin tonë fizik dhe mendor”, tha doktori.
Ekipi hulumtues publikoi gjetjet e tij në revistën “Lancet Psychiatry”.
Fëmijët kanë marrë pjesë në kërkime që nga lindja si pjesë e studimit “Fëmijët e viteve ’90” në Universitetin e Bristolit.
Përshpejtuesit u përdorën për të monitoruar lëvizjet e tyre për 10 orë për të paktën tre ditë, në moshën 12, 14 dhe 16-vjeç.
Këto pajisje mund të zbulonin nëse një fëmijë merrej me aktivitete të lehta, si ecja, luajtja e një instrumenti, aktiviteti fizik i moderuar, si vrapimi apo çiklizmi, por edhe nëse ishte ulur.
Përdorimi i akselerometrit siguroi të dhëna më të besueshme se studimet e mëparshme që mbështeteshin vetëm në aktivitetet e raportuara nga pjesëmarrësit.
Depresioni u vlerësua me një pyetësor, pa përdorur një diagnozë klinike. Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me simptomat, si humori i ulët, humbja e kënaqësisë dhe përqendrimi i dobët.
Tek adoleshentët nga mosha 12 deri në 16-vjeç, aktiviteti fizik total u ul në nivelin e të gjithë grupit dhe periudha e pasivitetit u rrit.
“Është shqetësuese koha që të rinjtë e kalojnë në mënyrë joaktive gjatë rritjes dhe zhvillimit, por është befasuese edhe mungesa e hulumtimeve cilësore se si kjo mund të ndikojë në shëndetin mendor. Numri i të rinjve me depresion është në rritje dhe studimi ynë tregon se dy tendencat, pasiviteti dhe depresioni, mund të lidhen”, tha Candola.
“Aktiviteti i lehtë mund të jetë veçanërisht i dobishëm sepse nuk kërkon shumë përpjekje dhe përshtatet lehtësisht në rutinën e përditshme të shumicës së të rinjve. Shkollat mund të prezantojnë aktivitete të lehta gjatë ditës, të tilla si klasa aktive. Ndryshimet e vogla në mjedisin tonë mund të përfitojnë të gjithë”, tha autori i lartë i studimit, Joseph Hayes nga UCL.