Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për sot në orën 12:00.
Kjo është konfirmuar për Euronews Serbia.
Seanca do të mbahet në Pallatin e Serbisë dhe anëtarët e saj do të diskutojnë për temat aktuale që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë, por edhe për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë si dhe furnizimet energjetike dhe ushqimore bazë, të cilat janë gjithashtu në fokus për shkak të luftës në tokën evropiane.
Vuçiq tha të hënën se Prishtina dhe Podgorica do të marrin përgjigje nga Beogradi për ndalimin e votimit në zgjedhjet serbe të 3 prillit. Siç ka thënë ai, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Beogradi që ta njohë Kosovën e pavarur për të organizuar zgjedhje në territorin e Kosovës. I pari i Serbisë tha gjithashtu se përgjigja do të ishte me “pasoja të gjera”.
Kreu i shtetit serb tha gjithashtu se Serbia po përballet me një periudhë të vështirë. “Situata në botë do të jetë më e ndërlikuar dhe nuk kam dyshim se do të jetë më e vështirë, në vend që të mbyllet konflikti, mund të them se konfliktet do të jenë më të ashpra dhe më të mëdha, se histeria dhe çmenduria do të vazhdojnë në Evropë dhe në botë”, tha Vuçiq, duke vlerësuar se kjo paraqet një barrë të madhe për Serbinë.
Seanca e fundit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mbajt në fund të muajit shkurt.
/TV Malisheva