BQK-ja, pra Banka Qendrore e Kosovës, ligjërisht duhet të jetë subjekti njësh për rregullimin, për stabilitetin dhe për mbarëvajtjen e ecurive dhe të zhvillimeve financiare të vendit edhe në këtë gjendje. Është pikërisht ajo që po bishtnon këtë rol. Këtë po e bën për t’i mbrojtur interesat e bankave komerciale dhe jo të subjekteve e të qytetarëve të Kosovës.

Deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, gjendja e përgjithshme në Kosovë është e jashtëzakonshme, u shpall ajo kështu apo jo? Këtë gjendje e kanë krijuar rrethanat e shkaktuara nga virusi vrastar “Korona”. Në gjendje të jashtëzakonshme, që pak a shumë është një gjendje lufte, dihen edhe sjelljet e të gjithëve  – të institucioneve, të autoriteteve zyrtare, të institucioneve ekonomike, bankare dhe të ndërmarrjeve publiko-private dhe së fundi sjelljet e qytetarëve duhet të jenë të jashtëzakonshme. Shkurt, kjo gjendje kërkon sakrifica jo të vogla nga të gjithë pra. Të vuajmë të gjithë nga pak, të humbim të gjithë nga pak dhe të mos shfrytëzojmë këtë gjendje për interesa individuale dhe të kompanive e të korporatave.

Duhet thënë që në fillim se nuk po i bëjnë të gjithë sakrificat e premtuara publikisht. Madje, duhet thënë se BQK-ja, pra Banka Qendrore e Kosovës, ligjërisht duhet të jetë subjekti njësh për rregullimin, për stabilitetin dhe për mbarëvajtjen e ecurive dhe të zhvillimeve  financiare të vendit edhe në këtë gjendje. Është pikërisht ajo që po bishtnon këtë rol. Këtë po e bën për t’i mbrojtur interesat e bankave komerciale dhe jo të subjekteve e të qytetarëve të Kosovës me paratë e të cilëve këto banka janë bërë të pasura, madje shumë të fuqishme me fitimet e pafundme të tyre. Me fjalë të tjera, nuk është kurrfarë sakrifice dhe aq më pak sjellje konform gjendjes dhe rrethanave të krijuara në Kosovë masa e paralajmëruar që bizneseve dhe individëve t’u mundësohet pezullimi i pagesës së kredisë deri në fund të prillit, por duke trajtuar veçmas, ose veç e veç të gjitha rastet. Madje, sipas vlerësimeve të njohësve të çështjeve financiare, kjo është vetëm një lojë e kamufluar e BQK-së, sepse s’ka logjikë dhe as sens që qindra mija kredimarrës individualë dhe subjekte juridike, përkatësisht, qindra e mija kërkesa të trajtohen brenda këtyre dy muajve. Edhe ashtu BQK-ja nuk është shquar shumë për ndonjë efikasitet të lartë në shqyrtimin e lëndëve dhe sidomos të ankesave të ndryshme. Prandaj, askush nuk e ka të qartë se si do t’i zgjidhte BQK-ja të gjitha këto kërkesa brenda një kohe kaq të shkurtër. Sikundër nuk është e qartë fare se, a do ta ndërmerrte mundin BQK-ja ta bëjë këtë punë fare, apo ta bëjë duke aplikuar ndonjë seleksionim të pakuptueshëm ndër qindra mija klientë kredimarrës?

Një njohës i mirë  iecurive bankare në Kosovë dhe më gjerë përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, jo pa shkas tha se vendimi i BQK-së në lidhje me trajtimin e klientëve me kredi, që duhet t’i bëjnë bankat komerciale, është shpërfaqja më serioze e impotencës që ka ky vend vis-a-vis politikave ekonomike. “Me këso vendimesh BQK-ja është duke u siguruar që edhe ajo pak ndërmarrësi e prodhim që ka filluar të zhvillohet në Kosovë t’i nënshtrohet diskrecionit vendimmarrës të bankave komerciale. Pra, profiti bankar karshi ndërmarrjes! Po besoj që është e qartë se për çka do vendosin bankat. Shembuj ka plot, guxim për të vepruar duhet!”, ka shkruar ai

Ai ka shkruar tutje se ky është një vendim komplet i kotë i BQK-së.

Pas këtij vendimi të BQK-së gjithsesi duket goxha absurd edhe njoftimi i ngutshëm i kryeministrit Albin Kurti, menjëherë pas takimit me përfaqësues të bankave komerciale, se “me përfaqësuesit e bankave u darkorduan që bizneset, të cilat vonojnë pagesën e kësteve të kredive, të mos ndëshkohen me kamatë të vonesës”, po ashtu është i kotë edhe prononcimi i zëvendëskryeministrit Abdullah Hoti, i cili nxitoi për ta falënderuar tguvernatorin dhe kryetarin e Bordit të BQK-së, që “tashmë kanë marrë masat e nevojshme. Sipas këtyre masave, bizneseve dhe individëve u mundësohet pezullimi i pagesës së kredisë nga sot e deri në fund të prillit, por rastet trajtohen veçmas”.

Duhet përsëritur: Kjo nuk është ndihmë, madje është tallje me të gjithë ata që për shkak të rrethanave të krijuara nga virusi famëkeq, por edhe nga ndjenja e patriotizmit për vendin kanë aplikuar të gjitha masat e kërkuara nga Qeveria – kanë kufizuar në maksimum aktivitetin biznesor vetanak, kanë mbyllur repartet e prodhimit për të ruajtur shëndetin e punëtorëve, pavarësisht pasojave që do të ndikojnë drastikisht në të ardhurat e bizneseve të tyre. Të gjithë këta deri më 30 prill do të seleksionohen nga BQK-ja. E pamundur. Broçkulla.

Fytyrën e vërtetë këto ditë lufte me virusin vrastar e tregoi edhe KEDS-si, cili pavarësisht kërkesë së Qeverisë për t’i pezulluar pagesat për shërbimet publike, të paktën deri në fund të muajit të ardhshëm. Në KEDS po vajtojnë se gjoja “pa pagesa të faturave do të ishte problem, meqë një pjesë e energjisë elektrike importohet dhe duhet paguar. Por harrojnë të tregojnë sa e kanë fitimin mujor  neto brenda një muaji.

Pagesën e shërbimeve nuk e ka shtyrë as kompania e ujësjellësit “Prishtina” dhe kompania “Pastrimi”.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar dënime për bizneset dhe për kompanitë, të cilat nuk po i respektojnë pikat e caktuara të vendimit për masa të sigurisë së qytetarëve, duke i detyruar të marrin pushim në kuadër të pushimit të rregullt vjetor. Pse të mos paralajmërohen dënime edhe për gjithë keqpërdoruesit e tjerë të rrethanave të jashtëzakonshme të vendit? Pse jo, edhe ndaj BQK-së, edhe ndaj KEDS-it. / “Zëri”

Share.