Trupat ruse që pushtuan termocentralin bërthamor të Çernobilit kanë plaçkitur dhe shkatërruar një laborator në atë vend, pretendojnë zyrtarët ukrainas.

Agjencia Shtetërore e Ukrainës për Menaxhimin e Zonës së Përjashtimit tha se rusët kishin dëmtuar Laboratorin e tyre Qendror Analitik – i cili përpunonte shumë mbetje radioaktive, raporton BBC.

Agjencia shtetërore tha në një postim në ‘Facebook’ se laboratori kishte mostra shumë aktive dhe mostra të radionuklideve, të cilat sot janë në duart e armikut.

Tutje thuhet se laboratori, i cili kushtoi rreth gjashtë milionë euro për t’u ngritur, kishte gjithashtu pajisje të vlefshme analitike që nuk ishin të disponueshme diku tjetër në Evropë.

Çernobili – vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë në 1986 – nuk është një termocentral që funksionon, por ende kërkon menaxhim të vazhdueshëm.

Rusët e kapën atë në ditët e para të luftës r dhe kishin mbajtur punëtorë atje për javë të tëra përpara se disa të liroheshin.

Ish lokacioni bërthamor mbetet një shqetësim i madh dhe në fillim të kësaj jave parlamenti i Ukrainës raportoi se zjarret në pyje kishin shpërthyer në afërsi të uzinës, të cilat u kapën nga imazhet satelitore.

Kujtojmë që mëngjesin e 24 shkurtit Rusia pushtoi Ukrainën, e që kjo e fundit ende po vazhdon të përballet me agresionin rus.

/TV Malisheva

Share.