Anatoli Chubais, një anëtar për një kohë të gjatë i rrethit të brendshëm të presidentit Vladimir Putin, ka dhënë dorëheqjen dhe është larguar nga vendi dhe nuk ka në plan të kthehet, thanë dy burime sot, duke e bërë atë zyrtarin e parë të lartë që largohet nga Kremlini që nga fillimi i luftës së Ukrainë, raporton Reuters.

Kremlini ka konfirmuar dorëheqjen e tij, por nuk ka komentuar nëse Chubais është larguar nga Rusia.

Chubais, 66-vjeç, ishte i dërguari special i Putin-it për zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndryshimet klimatike.

Ai ishte një nga arkitektët kryesorë të reformave ekonomike të Boris Yeltsin në vitet 1990 dhe ishte eprori i Putin-it në punën e tij të parë në Kremlin.

Chubais ishte gjithashtu për një kohë kreu i kabinetit të presidentit Boris Yeltsin.

Ai ishte një nga figurat më të spikatura në tranzicionin kaotik të viteve 1990 dhe u portretizua nga armiqtë si një figurë e fuqishme në Kremlin që ia dorëzoi pronën një grupi të vogël oligarkësh gjatë privatizimit.

Nga ana tjetër, mbështetësit e portretizojnë atë si një hero për krijimin e një ekonomie tregu në Rusi dhe deklarojnë se ai parandaloi rrëshqitjen në luftë civile.

Nën udhëheqjen e Putin-it, ai mbajti disa poste të larta politike dhe ekonomike, dhe së fundmi ishte i dërguar special për organizatat ndërkombëtare.

Vitet e fundit, Chubais ka vazhduar të avokojë për reformat ekonomike dhe ka qenë i njohur si një nga liberalët më të shquar të Kremlinit.

Chubais e mbylli telefonin kur u thirr nga Reuters për të pyetur për dorëheqjen e tij.

Burimet e Reuters nuk thanë se ku ndodhej Chubais./TV Malisheva

Share.