Ministri i Mbrojtës së Kosovës, Armend Mehaj në konferencë për media të premten ka folur për Fondin e Sigurisë të themeluar javë më parë.
Mehaj ka thënë se opinioni do të njoftohet me kohë për shumën e mbledhur dhe ka siguruar qytetarët se nuk ka asnjë hapësire që ai të keqpërdoret apo të keqmenaxhohet.
“Nuk ka hapësirë për keqmenaxhim apo keqpërdorim ai fond bëhet përmes thesarit dhe Ministrisë së Financave. Ai fond është shumë i rëndësishëm dhe shuma do të bëhet e ditur me kohë dhe do të njoftohet opinioni se cila është shuma e mbledhur”, ka thënë ministri Mehaj.
Edhe kryeministri, Albin Kurti, nuk ka dhënë shifra të sakta kur është pyetur se sa mjete janë mbledhur deri tani në Fondin e Sigurisë, por ka lënë të kuptohet që janë diku dhjetëra miliona euro.
Në një intervistë për televizionin publik, shefi i qeverisë është shprehur se ka kohë që nuk ka shikuar për të parë sa mjete janë mbledhur, por se i vjen keq që shifra nuk është bërë ende tetëshifrore.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të muajit mars ka themeluar Fondin e Sigurisë, që ka për synim mbledhjen e mjeteve financiare, për t’i përdorur për strategjinë e sigurisë shtetërore të Kosovës.
Ndërsa, Ministria e Financave ka hapur llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve.
/TV Malisheva