Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë vizitës së saj në Nju Jork, ka zhvilluar një takim me ekipin shqiptar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Theksi i gjithë tryezës, ishte pikërisht marrja e Presidencës nga Shqipëria, gjatë muajve qershor të këtij viti dhe tetor të vitit 2023.

Sipas Xhaçkës dhe në atë çfarë ajo i ka shprehur delegacionit shqiptar, performanca e ekipit në KS ka qenë shumë e suksesshme në muajt e parë të mandatit. Kjo ka bërë që të rritet shumë edhe imazhi i Shqipërisë në botë.

“Shqipëria do të kryesojë Presidencën e Këshillit të Sigurimit në muajin qershor, çka është edhe momenti kulmor i punës sonë gjatë vitit të parë të mandatit, jo vetëm në terma prestigji, por edhe sepse vendi ynë do të marrë një rol akoma më të rëndësishëm në përcaktimin e agjendës dhe punës së Këshillit të Sigurimit dhe do të ketë mundësinë të avancojë akoma më shumë agjendën e prioriteteve dhe interesat e Shqipërisë”.

Kështu tha ministrja përgjatë fjalës së saj.

Mbi agjendën në Këshill, ajo vijoi duke thënë se prioritet mbetet përpjekja globale kundër ekstremizmit të dhunshëm. Po ashtu, përpara duhet çuar edhe agjenda për paqe dhe siguri globale apo agjenda e barazisë gjinore.

Ukraina do të jetë në vëmendjen e pakushtëzuar të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Teksa, mbi kryesimin e Presidencës, mundësitë do të jenë më të volitshme për të avancuar me agjendën e prioriteteve ndërkombëtare. Për këtë arsye, Shqipëria duhet të përkushtohet të lobojë edhe më shumë në periudhën e caktuar.

/TV Malisheva

Share.