Pas rreth dy javësh negociatash për paqen në një format online, delegacionet nga Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për t’u takuar përsëri ballë për ballë.
“Takimi i radhës do të zhvillohet në Stamboll”, njoftoi dje në mbrëmje zyra presidenciale turke, pas një bisede telefonike mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërkohë nuk është bërë e ditur asnjë datë se kur do të zhvillohet takimi mes dy delegacioneve.
Udhëheqësi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky tha më herët në Telegram se një takim ishte planifikuar të martën dhe të mërkurën.
Negociatori ukrainas, Davyd Arakhamia konfirmoi gjithashtu në Facebook se Kievi dhe Moska kishin planifikuar një takim ballë për ballë.
“Gjatë bisedës telefonike Putin dhe Erdogan shkëmbyen pikëpamjet e tyre, duke përfshirë edhe gjendjen e negociatave”, shtoi zyra presidenciale në Ankara.
Erdogan ka theksuar sërish se duhet të arrihet një armëpushim i menjëhershëm.
/TV Malisheva