Anëtari i Akademisë Kombëtare të Shkencave dhe Arteve të Ukrainës dhe profesori në pension i Fakultetit Filozofik në Novi Sad, Julian Tamash, ka thënë se Rusia i ka përvetësuar prej kohësh vendimet e qeverisë aktuale serbe dhe se ruajtja e imazhit të Vladimir Putinit në Serbi ka zgjatur që nga ardhja e Aleksandër Vuçiqit në pushtet.

Akademiku Tamash, ka thënë në një intervistë për Al Jazeera se Rusia është ajo që pyetet për vendimet që merr qeveria aktuale në Serbi, duke shtuar se lidhja e Serbisë me Rusinë dhe Kinën nuk është vetëm si rezultat i ndjenjave emocionale.

“Jo, nuk jam i habitur që përsërisim gabimet. Ngritja e imazhit të Putinit ka zgjatur që kur Vuçiq erdhi në pushtet. Putini dhe Rusia janë në Serbi për një kohë të gjatë dhe ata pyeten për vendimet e qeverisë aktuale serbe, me këtë që Serbia ua ka hapë derën edhe kinezëve. Dihet edhe pse. Nuk janë vetëm ndjenja emocionale. Si në Rusi, ashtu edhe në Kinë, strukturat qeverisëse janë të rrethuara nga manjatë të korruptuar, dhe kjo bën që qeveria jonë aktuale të pasurohet nga gruri jashtëzakonisht shumë, kurse në publik të jetë me duar të pastra”, thotë Tamish.

Duke folur për luftën në Ukrainë, ai tha se mund të bëhet një paralele midis sulmit të Hitlerit ndaj Polonisë dhe agresionit aktual rus ndaj Ukrainës.

“Hitleri mashtroi me detyrimet e tij kontraktuale me Stalinin, kurse tani Putini ka mashtruar Perëndimin dhe ka sulmuar vëllezërit e tij sllavë, pavarësisht se Rusia, së bashku me Perëndimin, i garantuan Ukrainës paqen nëse ajo dorëzon armët e saj bërthamore”, tha Tamash.

Ai shtoi se qëllimi i Putinit është i qartë, të mos ekzistojë Ukraina si shtet, e as ukrainasit si komb, me gjuhën dhe kulturën e vet.

“Hitleri i urrente hebrenjtë dhe sllavët, kurse Putini po shkatërron brutalisht vëllezërit sllavë. Në të njëjtën kohë, ai pret që viktimat të pranojnë të jenë rusë. Çmenduri!”, thotë Tamash.

Tamash kujtoi se që nga fillimi i shekullit të 18, ukrainasit kanë luftuar për identitetin e tyre gjuhësor dhe kombëtar, dhe se ata kanë qenë të ekspozuar ndaj “represionit perandorak, të Stalinit dhe tani të Putinit”.

Sipas tij, Perëndimi e ka lënë popullin ukrainas “në baltë” dhe ka përshtypjen se ka pasur një “marrëveshje paraprake midis Putinit dhe Perëndimit për ndarjen e Ukrainës”.

“Nga njëra anë: epërsia ushtarake dhe kanibalizmi i Rusisë; nga ana tjetër: buka, nafta dhe gazi për një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët e Perëndimit. Nëse është kështu, atëherë kjo është e mjerë nga të dyja palët”, përfundon Tamash../TV Malisheva

Share.