Ukraina po i kërkon vazhdimisht Rusisë që të largojë kufomat e ushtarëve nga toka ukrainase, por Kremlini ka refuzuar kërkesën e Kievit.

Këtë e denoncoi sot në një intervistë për mediat ruse, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton noa.al.

“Ne duam t’i dorëzojmë, duam t’i japim. Nuk duam t’i mbajmë kufomat, ju e kuptoni shumë mirë. Duam që ata të largohen. Por ata refuzojnë.

Shikoni, edhe kur një qen apo një mace vdes, varrosen. Unë nuk e kuptoj sinqerisht se çfarë mendojnë këta njerëz. Sidomos, çfarë mendojnë prindërit e këtyre fëmijëve. Unë nuk e kuptoj,” tha Zelensky.

Autoritetet në Ukrainë njoftuan sot se deri tani në këtë vend kanë humbur jetën më shumë se 16 mijë e 600 ushtarë rusë, më së shumti djem në moshë fare të re.

Trupat e tyre dergjen nëpër Ukrainë, pasi Kievi pret që ata të tërhiqen nga Moska për tu varrosur në vendin pushtues.

Në të dhënat e publikuara sot nga Kievi, raportohet edhe për 121 avionë rusë të rrëzuar, 127 helikopterë, 582 tanke, 1664 mjete të blinduara, 294 sisteme artilerie, 52 mjete të mbrojtjes ajrore, 1144 makina dhe 7 anije.

/TV Malisheva

Share.