Pas paraqitjes së mirë në ballafaqim me Spanjën, ku Shqipëria pësoi disfatë vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes me rezultat 2-1, sfida e radhës për kuqezinjtë është miqësorja tjetër, ajo kundër Gjeorgjisë në tokën shqiptare.
Në një konferencë për media, mbrojtësi Berat Gjimshiti dhe trajneri Edi Reja e vlerësuan si pozitive paraqitjen ndaj Spanjës, por kërkuan vëmendje për sfidën kundër Gjeorgjisë, skuadër të cilën e kanë konsideruar si mjaftë të rrezikshme.
Gjimshiti ka thënë se pret që ndaj Gjeorgjisë skuadra të luajë lojë më shumë ofanzive në krahasim më atë kundër Spanjës.
Gjimshiti: Presim të jemi më shumë ofanziv ndaj Gjeorgjisë
“Sigurisht që po, besoj që edhe me këtë ndeshje që kemi bërë kundër Spanjës besoj që tifozët e kanë parë që lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë dhe besoj të jetë një ndeshje ndryshe sepse kualiteti teknik nuk besoj që është aq i lartë sa i Spanjës por prapë është një kombëtare që vrapon shumë dhe mbrohet shumë mirë por besoj që loja do të jetë ndryshe sepse besoj që edhe ne do të kemi më shumë raste për të luajtur më shumë në ofanzivë”, tha Gjimshiti
Ndërsa trajneri Edi Reja ka bërë të ditur se do të ketë ndryshime në formacion për këtë ndeshje, sidomos në repartin e mesfushës dhe ka zbuluar mungesat e lojtarëve si Bare, Balliu e Uzuni.
Reja: Do të ketë ndryshime në formacion ndaj Gjeorgjisë
“Sigurisht unë do të doja të bënim të njëjtën paraqitje ndaj Gjeorgjisë ashtu siç luajtëm me Spanjën pavarësisht se rezultati nuk ishte pozitiv në fund. Do të këtë shumë ndryshime sigurisht në mesfushë po do t’i vlerësoj situatat, të gjithë lojtarët që të shohim kush është në gjendje të mirë, kush ndjehet më i lodhur dhe kush është më i freskët. Në mesfushë sigurisht do të ketë ndryshime sepse Bare ka pasur shqetësime fizike pas ndeshjes dhe nuk është stërvitur dhe po diskutojmë që të mos bashkohet me skuadrën në Tiranë por të qëndrojë këtu dhe të rikuperohet. Për Balliun ne kemi pasur një akord në fillim që ai do të ishte vetëm në ndeshjen me Spanjën pastaj do të rikthehet te klubi ndërkohë që edhe Uzuni sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë të Granada.”, bëri të ditur trajneri kuqezi.
E sa i përket kundërshtarit, Reja ka thënë se ata janë një ekip shumë i organizuar, teknik dhe i papërshtatshëm, por që kjo i jep mundësi ekipit që të tregojë se sa është rritur në nivelin e performancës
Reja: Gjeorgjia është skuadër shumë e organizuar dhe teknike
“Sa i përket Gjeorgjisë është një ekip shumë i fortë, e ka mundur Bosnjën, është ekip i organizuar, teknik, është shumë i vështirë. Unë e kisha thënë që në fillim që unë kërkoja dy sfida shumë të rëndësishme në këto miqësore si Spanja si Gjeorgjia janë rival që më kënaqin dhe na japin mundësi të krijojmë çoftë eksperiencë të rëndësishme por edhe të rritemi dhe të tregojmë rritjen tonë. Pra ky ishte synimi, të kisha kundërshtarë të tillë dhe ia arritëm qëllimit..Sigurisht që Gjeorgjia është një kundërshtar krejt ndryshe por keni parasysh që ka një skuadër që mbrohet mirë, që vrapon shumë por edhe e rrezikshme në kundërsulme. E rëndësishme për ne është që të shfrytëzojmë karakteristikat e lojtarëve që kemi dhe të marrim maksimumin nga lojtarët që kemi”, tha në fund Reja.
Ndeshja miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Gjeorgjisë do të zhvillohet të premten me fillim nga ora 18:00.
/TV Malisheva