Kancelarët Scholz dhe Nehammer u takuan në Berlin: Gjermania dhe Austria në sfondin e luftës me sulmin rus ndaj Ukrainës duan ta avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë”, tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz të enjten (31.03) në Berlin në takimin me homologun austriak, Karl Nehammer. “Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme europiane, por tani duhet ta realizojmë këtë”, theksoi Nehammer. Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës.

Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë “potencialë” ende larg antarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e antarësimit duhej të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së.

Socialdemokrati Scholz kërkoi që më në fund të fillojnë bisedimet me këto dy vende, duke ndjekur të njëjtën frymë si edhe paraardhësja e tij kristiandemokrate Angela Merkel, që është angazhuar fort prej vitesh për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Edhe ne në BE duhet të çojmë përpara reformat institucionale, për të qenë edhe vet të aftë të zgjerojmë BE-në”, shtoi Scholz, raporton DW.

Nehammer iu referua “zonave të mëdha të influencës së Federatës Ruse” në Ballkanin Perëndimor. Nisur nga “interesi gjeostrategjik” është e rëndësishme dhe e drejtë, që “ne vërtetë (…) të vihemi në lëvizje dhe t’u ofrojmë vërtetë njerëzve perspektivën frytdhënëse”. Për këtë ai tha, se do të angazhohet për të bindur “skeptikët” brenda BE-së. “Pohimi i qartë, që Ballkani Perëndimor i përket Europës, tani duhet edhe të jetësohet”, tha Nehammer.

/TV Malisheva

Share.