Me afrimin e njërës nga garat më të famshme të futbollit, atë të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, sot do të mbahet ceremonia e shortit ku do të mësojmë fazën e grupeve të kësaj gare.

Tifozët dhe shtetet nga anë e mbanë bota do të kenë mundësinë që ta përcjellin shortin e sotëm me fillim nga ora 17:30, short ky që do të mbahet në Doha të Katarit, përcjell TV Malisheva.

Në këtë short do të zbulohen 29 nga 32 pjesëmarrës që do të garojnë në Botëror, ndërsa procedurat e aprovuara nga Komiteti Organizativ i Garave të FIFA-s kanë bërë të ditur që deri tani janë kualifikuar 28 kombëtare të cilat do të shpërndahen në katër vazo.

Nikoqirët e këtij Botërori, Katari, do të mbajë pozitën A1 nga vazo e parë, ku aty do t’i bashkohen shtatë kombëtaret më të mira të kualifikuara në ranglistën e FIFA-s.

Shtetet e kualifikuara të cilat zënë pozitat nga 8 deri te 15 në ranglistë, do të vendosen në vazon e dytë, kurse nga pozitat 16 deri te ajo e 23 do të vendosen në vazon e tretë.

Në fund, vazo e katërt do të përfshijë kombëtaret e kualifikuara nga pozita e 24 deri te ajo e 28, plus tre vende që përfaqësojnë dy fituesit e “play-off-it” ndërkontinental dhe fituesin e mbetur të “play-off-it” të UEFA-s.

Share.