Qytetarët serbë përmes transportit të organizuar janë nisur sot në mëngjes në ora 7:45 nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës për në Rashkë, ku do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.

Shumë prej tyre janë nisur nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, mirëpo për t’iu shmangur tollovisë, ka edhe lokacione tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë spitali i përgjithshëm në veri, pastaj ndërmarrja Trepça në Zveçan etj.

Ka qytetarëve të cilët kanë vendosur të shkojnë edhe me automjetet e tyre private.

Petrija, qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha për KosovaPress, se është nisur për të votuar në Rashkë dhe se dëshiron paqe në tërë botën. Sipas saj, nuk është mirë nga ana e Prishtinës që është pamundësuar votimi i serbëve në Kosovë.

“Petrija, jam nis për Rashkë për të votuar presidentin tonë Aleksandar Vuqiq dhe dua që ai të fitojë… Duam paqe në tërë botën. .. Nuk është mirë që të pengohet votimi në Kosovën tonë por ne nuk do të heqim dorë nga kjo dhe do të votojmë në Serbinë tonë”, ka thënë ajo.

Udhëtimi i këtyre qytetarëve me autobusë për në Rashkë dhe vende tjera, ka shkaktuar kolona të gjata në pikën kufitare në Jarinje. Mësohet se në dalje të kësaj pike kufitare kolona është e gjatë deri në një kilometër, kurse pritjet janë mbi një orë.

Ndryshe, serbët nga komunat veriore, si dhe ata që jetojnë në Istog, Vushtrri, Skenderaj, Klinë, Pejë e Rahovec, do ta kenë mundësinë të votojnë në Rashkë dhe në Tutin.

Ndërkaq ata nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaj, do të votojnë në Kurshumli. Kurse, votuesit nga Shtërpca, Novobërda, Vitia, Gjilani dhe Kamenica do të mund të votojnë në Vranjë. /TV Malisheva

Share.